Greqia pas zjarreve, vetëm hi dhe shkatërrim

schedule11:30 - 26 Korrik, 2018

schedule 11:30 - 26 Korrik, 2018

Zjarret masive që përfshinë Greqinë kanë lënë pas shkatërrim dhe hi. Qyteza e Matit, ndër më të prekurat nga flakët, i ngjan një qyteti fantazmë. Ndërkohë, reduktimi i fondeve për shërbimet e emergjencës është kthyer në objekt debatesh në Athinë.

Dëmet materiale të shkaktuara nga flakët e zjarrit të tmerrshëm në Greqi janë të pallogaritshme. Tashmë, zona e prekur i ngjan më shumë një qyteti fantazmë ku çdo gjë është shkrumbuar.

Në qytezën e Matit, në rajonin e Atikës, nuk ka mbetur thuajse asgjë, pasi zjarri shkrumboi gjithçka që i doli para.

Flakët përpinë të gjitha banesat, makinat dhe ata që nuk u larguan dot në kohë nga zona e ferrit. Ngjarja ka shkaktuar vuajtje dhe dëshpërim tek personat që humbën njerëzit më të afërt të tyre. Në një hotel turistik të Matit u gjetën 26 persona të vdekur, të gjithë të përqafuar me njëri-tjetrin.

Ndërkohë, politikat e kursimit të shtetit grek janë një tjetër aspekt i tragjedisë për faktin se ato kanë prekur edhe repartet e zjarrfikësve. Ky sektor pa t’i shkurtohej buxheti me 34 milionë euro në 9 vjet, lëvizje kjo që ka kufizuar gatishmërinë e reparteve për të reaguar ndaj zjarreve.

Dhe në fakt, disa dëshmitarë të tragjedisë së fundit thanë për mediat greke se nga momenti i rënies së zjarreve deri tek ndërhyrja e zjarrfikësve kaloi shumë kohë. Situata emergjentë detyroi shtetin helen t’u kërkonte ndihmë fqinjëve.

Ndërkohë, komisioneri i BE për Ndihmat Humanitare, Kristos Stilianides ka deklaruar se vendet anëtare do të ndërmarrin masa të reja për të reaguar ndaj tragjedive natyrore.

Duke shprehur solidaritetin me popullin grek në këto momente të vështira, Komisioni Europian të mërkurën uli flamujt e vendeve anëtare në gjysmë shtizë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!