Greqia merr “lajme të mira”

schedule15:05 - 3 Maj, 2019

schedule 15:05 - 3 Maj, 2019

Greqia mund të paguajë para kohe një pjesë të kredisë së marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kërkesa e Athinës zyrtare u miratua nga ministrat e Financave të zonës Euro.

Më në fund, lajme të mira për financat e Greqisë. Ministrat e Financave të eurozonës kanë miratuar vendimin e Greqisë që të paguajë para kohe një pjesë të kredisë që kishte marrë nga fondi monetar ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për një pagesë me vlerë 3.7 miliardë euro, që u përket kredive që skadojnë këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Nga kjo lëvizje financat publike greke do të kursejnë 150 milionë Euro. Por ky nuk është i vetmi lajm i mirë.

Ka hyrë tashmë në fuqi vendimi i Mekanizmit Europian të Stabilitetit Financiar (EFSF), për lehtësimin e borxhit publik grek, me një vlerë përfitimi më shumë se 970 milionë euro.

Një pjesë e kësaj shume do të dalë nga reduktimi i interesave të kreditimit për periudhën nga Janari i vitit të kaluar deri në Qershor 2019, me ç’rast Greqia do të fitojë 329 milionë euro.

Pjesa tjetër përfaqëson një divident prej më shumë se 644 milionë euro prej fitimit të bankave të eurosistemit që kishin blerë obligacione greke.

Kreu i EFSF, Klaus Regling, deklaroi me këtë rast se “vendimi për të reduktuar interesat e kreditimit të Greqisë tregon se qeveria greke po i mban angazhimet e veta për reformat. Dhe kjo ka rëndësi të madhe për ne, pasi kemi livruar më shumë se 200 miliardë euro kredi për Greqinë”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!