“Greqia keqtrajton refugjatët”, “New York Times” publikon videon, braktisen emigrantët në det

schedule16:21 - 19 Maj, 2023

schedule 16:21 - 19 Maj, 2023

Greqia është përballur herë pas here nga ndërkombëtarët me kritika të shumta për mënyrën se si po trajtohen azilkërkuesit në kampet e Lesvos. Jo pak herë zyrtarët e bashkimit evropian kanë nisur hetime për të vërtetuar nëse qeveria greke po kthen azilkërkuesit në Turqi, përfshirë edhe fëmijët.

Qeveria ka mohuar vazhdimisht keqtrajtimin e azilkërkuesve teksa ka insistuar se ajo mban një barrë të jashtëzakonshme të menaxhimit të të emigrantëve të rinj në Evropë.

Mirëpo  New York Times ka përgënjeshtruar qeverinë greke duke publikuar video që tregojnë rojën bregdetare greke teksa braktisin emigrantët në gomone në mes të detit.

Në artikullin e gjatë përfshihen dëshmitë e azilkërkuesve të cilët kishin udhëtuar në mes të sfidave të shumta për ti shpëtuar luftës. Ata pas shumë vuajtje kishin arritur në një vend të Evropës me shpresën për të nisur një jetë të re, por shpresa e tyre nuk zgjati shumë pasi persona të maskuar i mblodhën duke u marrë edhe ato pak sende që ata kishin me vete.

Ata ishin të ngjeshur në gomone, duke u tundur në ujërat e hapura teksa po mundoheshin sado pak të mbroheshin nga dielli përvëlues. Në mesin e tyre ishte edhe Naima Hassan Aden nga Somalia e cila shtrëngonte fortë në krahë foshnjën e saj 6muajshe.

“Ne nuk prisnim të mbijetonim atë ditë kur na fusnin në gomone. Ata e bënë këtë pa asnjë mëshirë.” Thotë ajo për nju jork tajms.

Gazeta prestigjioze pas një hetimi të gjatë, ka vërtetuar videot që datojnë që prej 11 prillit. Azilkërkuesit më gomone të tej mbushura kthehen sërish në një qendër paraburgimi në Izmir, në bregdetin turk.

Duke bërë fushatë në Lesvos javën e kaluar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, kryeministri Kiriakos Mitsotakis mbrojti politikat e emigracionit “të ashpra, por të ndershme” të qeverisë së tij dhe u mburr me një rënie prej 90 për qind të mbërritjes së “emigranteve të paligjshëm”.Greqia dhe Bashkimi Evropian ashpërsuan qëndrimet e tyre ndaj emigrantëve pas mbërritjes në 2015 dhe 2016 të më shumë se një milion refugjatëve nga Siria dhe Iraku. Vala e emigrantëve solli ndryshimin e politikës evropiane, duke nxitur forcat populiste të së djathtës.

Mirëpo nuk është vetëm Greqia që po ndjek një politik të ashpër për emigrantët.

Polonia, Italia dhe Lituania kanë ndryshuar së fundmi ligjet e tyre për ta bërë më të lehtë zmbrapsjen e emigrantëve dhe ndëshkimin e atyre që i ndihmojnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!