Greqia e ka lënë Kalin e Trojës të ushqehet te livadhi i SHQUP-it

schedule17:01 - 13 Maj, 2023

schedule 17:01 - 13 Maj, 2023

Nga Ardit Rada

Fredi Beleri thotë se nuk ka marrë pjesë në masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994. Këtë ai e ka provuar para drejtësisë me faktin se ndodhej në Qipro për studime. Por lidhjet e tij me grupin terrorist u provuan një vit më pas kur pas dështimit për të shkelur sërish tokën shqiptare, u kap me disa të tjerë nga Policia e vendit fqinj.

Zbythja e grupit në 1995 erdhi pasi këtë herë posta kufitare shqiptare kishte marrë masa dhe qe armatosur gjer në dhëmbë. Pasi e vërejtën me dylbi, vendosën të vinin majat nga kishin thembrat. Fredi Beleri u dënua për armbëmbajtje pa leje pasi bashkë me të tjerët iu gjet një arsenal i tërë armësh. Ai vetë e ka pranuar publikisht rastin duke u shprehur se pjesëmarrja në atë grup ishte një aventurë e rinisë. Sikur ushtarët tanë të ishin sërish në gjumë dhe pa fishekë, kuptohet si do të shkonte ‘aventura’…

Një dokument i SHISH në vitin 2007 e informonte Sali Berishën për aktivitetin e Belerit dhe të tjerëve në Himarë. Për gjuhën e urrejtjes, parrullat antishqiptare e të tjera si këto. Shkresa mban firmën e ish-drejtorit Bahri Shaqiri. Berisha ishte kryeministër atëkohë, por nuk dihet nëse e kishte kërkuar vetë këtë informacion, apo iu servir nga SHISH për ndonjë situatë të kohës. Kush ka qenë në Himarë e ka parë se në kodër ndodhet godina e SHISH. Kush merr vesh nga këto punë e di me patjetër se Himara është i vetmi qytet që ka drejtori të dedikuar të Shërbimit. Pra nuk varet nga Vlora, siç varet fjala bie Lushnja nga Fieri apo Kruja nga Durrësi. Kjo për shkak të ‘belerëve’ që bredhin në atë qytet prej dhjetëra vitesh herë me armë, herë me para e herë me këto takimet pas mesnate duke thurur konspiracionet e mëdha. Dikur shisnin nënshtetësi greke, sot blejnë vota për t’i njollosur himariotët e për të zbatuar së paku aventura me masakra zgjedhore.

Por në të gjithë këtë mesele të 24 orëve të fundit problemi mbeten Sali Berisha dhe Ilir Meta në mbrojtjen që tentojnë t’i bëjnë Fredi Belerit. Së pari duke tentuar ta përdorin politikisht, ndërkohë që Berisha ka 15 vite që e di se çfarë përfaqëson kandidati në fjalë. I njëjti person që informonte Berishën u bë më pas zv.ministër i Ilir Metës në qeveri, këshilltar i Ilir Metës në presidencë dhe kandidat i Ilir Metës në zgjedhjet 2021. Pra të dyja kokat e “Bashkë Fitojmë” kanë qenë gjithë kohës pranë ish-titullarit të SHISH dhe e kanë ditur për të disatën herë se po kandidonin një shovinist në Himarë.

Së dyti, mbrojtja nuk bëhet me gjysma fjalish nga Tirana komode. Përse nuk vajtën dje Berisha dhe Meta në Himarë? Kishin të planifikuar edhe mbylljen e fushatës së Belerit, kishin edhe Belerin në qeli. Përgjigja ëshë e qartë: S’mund të mbrojnë Belerin e të humbin ata pak shqiptarë që i ndjekin, sepse në thelb janë të bindur tek fajësia e tij. Punën e tyre në këtë rast e bëri qeveria greke, por për shkaqe politike të brendshme pasi ndodhet vetë para zgjedhjeve.

Nuk e bënë për Sali Berishën, as Ilir Metën e as për Vangjel Dulen. Vetëm këta bëjnë punë vullnetare për Greqinë duke iu kandiduar gjakprishurit me zell të madh në tokë shqiptare. Greqia e ka lënë Kalin e Trojës të ushqehet te livadhi i SHQUP-it!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!