Pas rritjes së fundit të numrit të rasteve të reja me koronavirus, autoritetet në Greqi vendosë që duke nisur nga e hëna e 3 gushtit, mbajtja e maskës të jetë e detyrueshme në të gjitha hapësirat publike dhe në ato të mbyllura. Njëkohësisht janë marrë dhe masa të tjera kufizuese.
Vizitat në spitale dhe në azilet e të moshuarve do të lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme, ndërsa në pub-e dhe bare, për të shmangur grumbullimet do të lejohet hyrja vetëm për një numër të kufizuar personash.
Dhe në ambiente të hapura nuk do të lejohet që të merren pije në këmbë përpara lokaleve, në rast të kundërt gjoba do të jetë 150 euro. Një javë më parë qeveria greke vendosi detyrimin e mbajtjes së maskës në dyqane dhe në mjetet e transportit publik.
Ditët e fundit numri i rasteve të reja është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Arsyeja e kësaj rritjeje sipas autoriteteve është mos respektimi i masave të sigurisë nga ana e popullsisë.
Greqia deri tani ka regjistruar 296 vdekje si pasojë e koronavirusit në një popullsi prej 10.5 milion banorësh, një nga nivelet më të ulëta të vdekshmërisë në Europë./abcnews.al