Ministrja e Arsimit të Greqisë, Kerameos duke folur këtë mëngjes në “ANT1” tha se shkollat fillore dhe kopshtet do të hapeshin në 11 janar.
Ministrja prezantoi planet për hapjen e shkollave, duke shpjeguar mënyrën se si do të zhvillohet mësimi duke shmangur në këtë mënyrë edhe mbipopullimin e klasave.
Niki Kerameos gjithashtu bëri të ditur se mësuesit do të vaksinohen para popullatës së përgjithshme, ndërsa përparësia do t’u jepet mësuesve që kanë sëmundje të tjera.
E pyetur se kur pritet të hapen gjimnazet dhe liceu, ministrja vuri në dukje se kjo çështje do të diskutohet me specialistët, ndërsa shtoi se në ditët në vijim do të ketë një njoftim se si do të procedohet me provimet kombëtare.
Plani i Ministrisë së Arsimit për hapjen e shkollave
Fillimisht do të hapen shkollat fillore dhe më pas Liceu sipas planit të favorizuar nga epidemiologët e komitetit shkencor për koronavirusin.
Ministria e Arsimit planifikoi të hapte të gjitha nivelet e arsimit në të njëjtën kohë të hënën, 11 janar, por ekspertët vendosën se zgjidhja më e mirë është për momentin hapja e kopshteve dhe shkollave fillore, duke marrë parasysh që fëmijët e vegjël e transmetojnë më pak virusin.
Hapja e gjimnazeve pritet të realizohet në një fazë të tretë dhe në varësi të situatës epidemiologjike që do të mbizotërojë në vend në atë kohë. Sipas anëtarëve të komitetit, edhe në fund të kësaj jave, situata do të rishikohet bazuar në të dhënat epidemiologjike.
Ministria e Arsimit, nga ana e saj, po përgatitet për hapjen e shkollave fillore dhe kopshteve duke marrë masat e duhura, si dhe shkollave të mesme dhe liceut, pasi të jepet “drita jeshile” nga shkencëtarët./abcnews.al