Videoja e disa të burgosurve shqiptarë që bënin jetë luksoze në qelitë e një burgu të sigurisë së lartë ka shqetësuar autoritetet greke. Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar një hetim që do të fokusohet si tek veprimtaritë e grupit kriminal shqiptar, ashtu dhe në përfshirjen e punonjësve të burgut.
Ministria greke e Drejtësisë ka nisur një hetim administrativ për jetën luksoze që thuhet se bëjnë disa të burgosur shqiptarë në burgun e sigurisë së lartë të Koridalosit, në Athinë. Hetimi u urdhërua pasi mediat greke publikuan një video të transmetuar live në Facebook, ku të paktën tre të burgosur shqiptarë shfaqen duke festuar në qelinë e tyre, ku kanë madje dhe televizor HD. Gjatë 11 minutave që zgjat videoja, ata shfaqen me tavolinën të shtruar me pije alkoolike dhe duke treguar në mënyrë demonstrative një numër të konsiderueshëm kartmonedhash me vlerë mijëra euro. Bëjnë përshtypje dhe komentet, shumica nga miq shqiptarë të të burgosurve. Ministria greke e Drejtësisë, në një deklaratë për shtyp të hënën, thotë se video është e disa muajve më parë. Ministria gjithashtu nënvizon se me këtë çështje po merret prokuroria, sa për zbardhjen e veprimtarisë së organizatës kriminale që vepronte në burg, aq edhe për implikim të mundshëm të punonjësve të burgut./abcnews.al