Greqi, qeveria ashpërson masat për azilantët

schedule22:16 - 1 Tetor, 2019

schedule 22:16 - 1 Tetor, 2019

Qeveria në Greqi ka ashpërsuar masat për azilantët, duke intensifikuar njëkohësisht procedurat për ata që duhet të deportohen dhe ata që meritojnë azilin. Për qeverinë në Athinë, fenomeni tashmë nuk është një krizë refugjatësh, por emigracioni.

Qeveria greke ka miratuar masa më të ashpra për dhënien e azilit, duke synuar në të njëjtën kohë përshpejtimin e procedurës për ata që e përfitojnë.

 

Pas ngjarjes së të dielës, kur dy persona humbën jetën gjatë trazirave në kampin e Morias në ishullin e Lesvos, ka filluar largimi i refugjatëve nga ishulli dhe vendosja në pjesën territoriale të vendit.

Duke iu referuar reagimeve të banorëve që nuk dëshirojnë praninë e refugjatëve në zonat e tyre, ministri alternat për emigracionin, Jorgos Koumoutsakos ishte mjaft i prerë:

“Kur ne kërkojmë solidaritet nga vendet e tjera të BE-së, duhet që këtë solidaritet ta tregojmë brenda vendit”, tha ai.

Qeveria miratoi të hënën një plan masash, ku përfshihen: intensifikimi i patrullimeve në vijën bregdetare përballë Turqisë; ndërtimi i qendrave të tranzitimit për personat që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme dhe nuk përfitojnë të drejtën e aplikimit për azil; dhe shtimin drastik të numrit të deportimeve, duke arritur në 10.000 persona deri vitin e ardhshëm.

Duke iu referuar statistikave, qeveria thotë se aktualisht janë 75.000 kërkesa për azil të pashqyrtuara.

Qeveria thotë gjithashtu se shumica e personave që mbërrijnë në Greqi vijnë nga Afganistani, Pakistani, vendet afrikane dhe shumë më pak nga Siria.

Rrjedhimisht, për Athinën, nuk ka më krizë refugjatësh, por krizë emigrantësh.

Nga ana tjetër, ata që e meritojnë vërtet statusin e refugjatit dhe azilin synohet t’i kryejnë procedurat brenda tre muajsh./ABC News Albania 24/7