Greqi, presidenti pranon kërkesën e Tsipras

schedule23:59 - 10 Qershor, 2019

schedule 23:59 - 10 Qershor, 2019

Presidenti i Greqisë ka pranuar kërkesën e kryeministrit Aleksis Tsipras, duke bërë që vendi të shkojë zyrtarisht në zgjedhje të parakohshme. Shkak për këtë lëvizje u bë paraqitja e dobët e partisë në pushtet, Syriza, në zgjedhjet lokale dhe ato euro-parlamentare.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras shkoi të hënën pasdite te presidenti i Republikës, prej të cilit kërkoi shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme, për të rinovuar, siç tha, “mandatin popullor”.

Tsipras e argumentoi kërkesën e tij me faktin se nga zgjedhjet europiane në fund të muajit të kaluar janë krijuar kushtet për një fushatë elektorale të tejzgjatur, që do të shkonte deri në tetor, kur përfundon normalisht mandati i qeverisë Tsipras.

Sipas kryeministrit, kjo do të krijonte një risk për ekonominë, duke vënë në rrezik “sakrificat dhe mundin e popullit grek”. Presidenti i Republikës është përgjigjur se e pranon kërkesën dhe se do të nisë proçedurat përkatëse. Zgjedhjet do të mbahen të dielën e parë të muajit të ardhshëm, pra më 7 Korrik.

Stand up – Dekreti presidencial për shpërndarjen e trupës ligjvënëse dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme pritet të afishohet tashmë, siç është tradita, në portën kryesore të godinës së parlamentit.

Pas kësaj, kryeministri Tsipras do të shkojë në një veprimtari të posaçme për të prezantuar programin elektorale të SYRIZA-s, duke dhënë dhe shenjën e startimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme.

Mandati i qeverisë Tsipras përfundon zyrtarisht në muajin tetor. Por kryeministri grek u detyrua ta përshpejtonte ballafaqimin elektoral pas humbjes së thellë në zgjedhjet europiane dhe ato administrative nga Demokracia e Re e opozitës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!