Greqi – Maqedoni, të shtunën nënshkruhet marrëveshja për emrin

schedule13:49 - 15 Qershor, 2018

schedule 13:49 - 15 Qershor, 2018

Nesër në Prespë pritet të nënshkruhet marrëveshja e arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin. Zyrtarë të OKB-së dhe BE-së pritet të jenë të pranishëm në ceremoni. Marrëveshja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, që u miratua të premten edhe nga qeveria maqedonase,  do të nënshkruhet të shtunën më 16 Qershor në Prespë.

Në këtë ngjarje që është vlerësuar si historike janë ftuar Sekretari Gjeneral i OKB-së, Antonio Guterres, ndërmjetësi në bisedimet për çështjen e emrit, Mathew Nimitz, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn.

Është parashikuar që marrëveshjen ta nënshkruajnë shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, ndërsa në Prespë do të jenë edhe kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.

Marrëveshja në fjalë, përmbajtja e së cilës tanimë është bërë publike, përmban edhe renditjen e angazhimeve që kanë marrë palët për zbatimin e saj deri në fund. Detyra e parë pas nënshkrimit zyrtar, do të jetë ratifikimi i marrëveshjes në parlamentin e Maqedonisë dhe më pas do të duhet të informojë Athinën zyrtare për ratifikimin.

Më pas, sipas marrëveshjes së dakorduar, pala e dytë, siç quhet Maqedonia në këtë marrëveshje, do të fillojë organizimin e Referendumit. Ndërsa pas përfundimit të Referendumit, Maqedonia do të fillojë menjëherë procedurën për ndryshime kushtetuese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!