Greqi, lirohet nga burgu biznesmeni Edmond Bego

schedule12:11 - 22 Gusht, 2018

schedule 12:11 - 22 Gusht, 2018

Biznesmeni shqiptar Edmond Bego është liruar nga burgu në Greqi, ku ishte arrestuar në 18 gusht, teksa kthehej nga pushimet në Korfuz. Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij Ardian Leka, që u shpreh se Bego nuk është person në kërkim policor. Sipas një dokumenti të Interpol Romës, që mban datën 21 gusht 2018 dhe që u është dërguar autoriteteve greke bëhet e ditur se për Edmond Begon nuk ka asnjë urdhër arresti, të lëshuar nga shteti Italian. Sipas këtij dokumenti, rezulton të mos ketë asnjë çështje të hapur në Itali.

Biznesmeni shqiptar u arrestua në Greqi me argumentin se ishte në kërkim nga drejtësia italiane, pasi ishte dënuar me vendim të formës së prerë për trafik narkotikësh.

Gjykata greke dha të hënën masën e sigurise “arrest me burg” për Begon, deri në mbërritjen e dosjes nga Italia për ekstradim. Por pas sqarimit të kësaj situate 48 vjeçari Edmond Bego është lënë i lirë.

Pas arrestimit të tij opozita akuzoi qeverinë dhe kreun e grupit parlamentar të LSI-së Taulant Balla se i kishte siguruar mbrojtje politike dhe se kishte lidhje me të.

Ndërsa një ditë më parë Balla, pranoi se e njihte familjarisht Begon, por mohoi se i kishin siguruar mbrojtje biznesmenit që vuajti 4 vjet burg në Shqipëri për akuzat e ngritura nga shteti italian./abcnews.al