Greqi, “furtunë” në shërbimet e emergjencës

schedule09:18 - 7 Gusht, 2018

schedule 09:18 - 7 Gusht, 2018

Një valë ndryshimesh ka përfshirë strukturat e shërbimeve të emergjencës në Greqi, pas zjarreve të muajit të kaluar që morën thuajse 90 jetë njerëzish. Me urdhër të kryeministrit Tsipras janë ndërruar shefat e policisë dhe zjarrfikësve.

Qeveria greke ka emëruar përgjegjës të rinj në sektorët kryesorë të emergjencave civile, pas polemikave që pasuan zjarret shkatërruese të muajit të kaluar në lindje të Athinës. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e kryeministrit Alexis Tsipras, sipas të cilës krerët e forcave të policisë dhe zjarrfikësve janë zëvendësuar nga zëvendësit e tyre. lëvizjet vijnë dy ditë pas dorëheqjes së ministrit për Mbrojtjen Civile, Nikos Toskas. Qeveria Tsipras është kritikuar ashpër për reagimin e dobët ndaj zjarreve, që shkaktuan vdekjen e të paktën 90 personave. Të ushqyera nga erërat e forta, flakët u përhapën nëpër gadishullin e Atikës, duke prekur më së shumti qytezën e Matit. Sipas BBC, disa ekspertë kanë vënë në dukje gabimet e bëra nga autoritetet në menaxhimin e emergjencës. Një prej tyre është udhëzimi i drejtuesve të automjeteve në rrugën ku zjarri kishte marrë fuqi, ndërsa një tjetër është mungesa e alarmit për evakuimin, për t’u lejuar banorëve dhe turistëve largimin nga zonat e rrezikut. Opozita politike ndërkohë ka kërkuar edhe dorëheqjen e qeverisë Tsipras, të cilën e akuzon se dështoi në mbrojtjen e jetëve dhe pronës së qytetarëve. /abcnews.al