Pas protestave të dhunshme mbrëmjen e së shtunës në Athinë, 19 persona janë arrestuar pasi kanë sulmuar agjentët e policisë. Mijëra vetë marshuan në përkujtim të revoltës studentore të vitit 1973, që çoi në rrëzimin e diktaturës ushtarake.
19 persona janë arrestuar nga policia në Athinës pas përplasjeve në shesh me anarkistët. Arrestimet u kryen jashtë Politeknikut, ku një grup njerëzish që morën pjesë në një marshim, në 45 vjetorin e revoltës studentore kundër regjimit ushtarak, sulmuan agjentët e policisë.
Mbi 10 mijë demonstrues përshkuan në mënyrë paqësore akset kryesore të kryeqytetit helen, ku masat e sigurisë ishin shumë të larta. Ata mbanin në duar parrulla me shkrimin “Rezistencë” dhe të tjera në lidhje me krizën financiare që për 8 vjet rresht drobiti Greqinë. Marshimi përfundoi tek selia e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të cilat grekët i akuzojnë se mbështetën diktaturën ushtarake të viteve 1967-1974.
Por në përfundim të marshimit shpërthyen trazirat, me protestuesit që hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj forcave të policisë pranë Politeknikut të Athinës, ku shumë të rinj mbetën të vrarë në vitin 1973. Ndërsa të tjerë ngritën barrikada me karrige dhe sulmuan forcat e rendit nga tarracat e pallateve. Nga ana e saj policia u detyrua të reagonte me gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën. /abcnews.al