Greg Popoviç realizoi edhe një arritje tjetër të madhe në karrierën e tij në basketbollin amerikan. Kjo, pas fitores së skuadrës së tij, San Antonios, në fushën e Dallasit.
U desh një djalë i lindur në këtë qytet për t’i bërë favorin.
Lamarkus Olldrixh shkëlqeu pikërisht në Dallas, duke ndihmuar San Antonion të fitonte dhe trajnerin e tij, Greg Popoviç që të arrinte diçka të madhe.
Veterani i stolit, sot 68 vjeç, mori fitoren numër 500 në ndeshjet jashtë fushe, madje duke i lënë të gjithë të tjerët prapa.
Popoviçit iu deshën 835 ndeshje si udhëtues për t’ia dalë, 41 ndeshje më shpejt sesa ish-rekordmeni Pat Rajli.
Olldrixh shënoi 32 pikë dhe San Antonio mundi Dallasin 97-91, për të arritur suksesin e 9-të të sezonit, dhe për t’u ngjitur në vendin e tretë në Konferencën Perëndimore.
Dy vjet e gjysmë më parë, në shkurt 2015, Popoviç arriti numrin 1 000 të fitoreve në karrierë, që të gjitha me San Antonion.
Në 21 vjet si trajner në NBA, ai ka fituar 5 tituj kampion, duke qenë i treti në renditjen e të gjitha kohëve, pas legjendarëve Fil Xhekson dhe Red Auerbah.
Popoviç nuk kufizohet vetëm me sportin, por është përfshirë edhe politikisht duke qenë kundërshtar i deklaruar i presidentit amerikan, Donald Tramp.
Ai u bë i famshëm me fjalët “vendi ynë sot është një turp i vërtetë”, ndërsa mendohet se mund të kandidojë për president në vitin 2020./abcnews.al