Gratë iraniane për herë të parë në stadium, për të ndjekur Kupën e Botës

schedule20:22 - 26 Qershor, 2018

schedule 20:22 - 26 Qershor, 2018

Me mijëra gra e vajza iraniane patën mundësi të ndiqnin ndeshjen e kombëtares së tyre në një stadium të Teheranit. Kjo, pas vendimit historik që u mor nga autoritete vendore në kryeqytet.

Çdo ligj e çdo rregull pret kohën për t’u shkelur.

Duket se radhën e ka ligji që nuk lejonte gratë dhe vajzat në Iran për të shkuar në stadiume.

Autoritetet vendore të Teheranit lejuan që femrat të ndiqnin në stadiumin e kryeqytetit, në një ekran të madh, ndeshjen e Kupës së Botës, ndaj Portugalisë.

Ishin me mijëra që nxehën atmosferën në stadiumin “Azadi”, dhe kjo ishte hera e dytë që ndodhte në gati 40 vjet, pas ndeshjes së mëparshme të Botërorit, asaj ndaj Spanjës.

“Është hera e parë që vij në stadium, – u shpreh një tifoze, – doja shumë që të vija dhe jam tepër e lumtur. Edhe pse nuk fituam, ishte një sukses, jemi krenarë për lojtarët tanë”.

“Shpresoj që ky të jetë fillimi I një kulture të re, që gratë të mund të ndjekin ndeshjet në stadiume. Besoj se që tani e tutje, do të jetë e mundur”.

Emocionet ishin të forta, dhe nuk munguan as lotët, ndërsa Irani u eleminua pas barazimit me Portugalinë.

Ndalimi për femrat u vendos në 1979, me arsyetimin për të mbrojtur gratë nga të sharat dhe ofendimet e burrave në ndeshje.

Shumë femra të tjera, ndërkaq, udhëtuan 4 000 km për të ndjekur Botërorin në Rusi.

Ato shkuan atje bashkë me familjet, ndërsa mjaft prej tyre gjetën biletë duke I ndjekur ndeshjet në stadiume. /abcnews.al