Grabitja në rrugën e Rinasit, shtyhet me tre muaj afati i hetimit

schedule11:18 - 8 Shkurt, 2018

schedule 11:18 - 8 Shkurt, 2018

Gjykata për Krimet e Rënda shtyu me tre muaj afatin e hetimit për dy supergrabitjet e gati 7 milionë eurove në autoblinda të bankave të nivelit të dytë në rrugën e Rinasit. Shtyrja u kërkua nga Prokuroria me pretendimin se nuk ishin kryer të gjitha veprimet hetimore.

Një vit kohë nuk i ka mjaftuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të finalizuar hetimin e supergrabitjes së 3.2 milionë eurove në një autoblindë pranë kthesës së Kasharit në Shkurt të vitit 2017.

Për këtë shkak institucioni i akuzës kërkoi zgjatjen e afatit të hetimit me tre muaj. Kërkesa u pranua të enjten nga Gjykata për Krimet e Rënda.
Në sallën e gjyqit, prokurori i çështjes e argumentoi kërkesën me ngarkesën e lartë të çështjeve dhe nevojën nevojën e kryerjes së disa veprimeve hetimore për rastin. Sipas prokurorit bëhej fjalë për administrimin dhe kqyrjen e disa tabulateve telefonike, si edhe për marrjen e disa dëshmive, që mund të japin të dhëna të vlefshme për provueshmërinë e autorëve të grabitjes.

Kërkesa është kundërshtuar me forcë nga avokatët. Sipas tyre, Prokuroria ka pasur gjithë kohën e nevojshmë për të përfunduar hetimin e dosjes. Duke pretenduar mbajtjen me pa të drejtë në qeli të klientëve të tyre, avokatët kërkuan rrëzimin e kërkesës.

Prokuroria për Krimet e Rënda po heton nëntë persona si të përfshirë në grabitjen e Shkurtit 2017 në aksin Kthesa e Kasharit-Rinas, si edhe grabitjes së Dhjetorit 2015 në të njëjtin segment, në një vlerë prej gati 7 milionë euro në total, vlerë monetare e bankave të nivelit të dytë. Nëntë prej tyre po hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg”, ndrërsa Admir Murataj është i shpallur në kërkim./abcnews.al