Grabitja në Rinas, Lleshaj nga Kukësi: Do të ketë arrestime të tjera

schedule13:19 - 26 Prill, 2019

schedule 13:19 - 26 Prill, 2019

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi nga Kukësi se do të ketë arrestime të tjera në lidhje me grabitjen në Rinas.

I pyetur nëse ka fakte për deklaratën në Kuvend se autorët e Rinasit kanë lidhje të forta me grupet e rrezikshme kriminale në vend, Lleshaj tha se nuk mund të thotë shumë detaje, por theksoi se grupi ka aktivitet kriminal jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi e Kosovë.

Gazetari: Ju dje në Kuvend deklaruat se autorët e Rinasit kanë lidhje të forta me grupet e rrezikshme kriminale në vend, a keni fakte për ketë?

Lleshaj: Kjo çështje është ende në hetim megjithëse ka ecur shumë, unë nuk mund të ekspozoj detaje të shumta. Unë them se grupi tashmë i shkatërruar ka një arkiv të pasur të aktiviteteve negative kriminale jo vetëm në Shqipëri, por ne Greqi eKosovë. Procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të zbardhjes dhe kapjes së autorëve. Do të ketë arrestime të tjera. Disa nga krerët e grupit janë arrestuar, por ka edhe të tjerë, fakte nuk ka”.

Sa i takon protestës së opozitës, e cila së fundmi ka nisur me bllokime rrugësh, ministri i Brendshëm i bëri thirrje që të kthehet në rrugët normale të politikës.

“Është e drejta e kujtdo për të protestuar. Por bllokimi i rrugëve është degradim politik në të gjitha aspektet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhje politike. Nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët, qeverinë e mbyt duke fituar zgjedhjet, duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët. I bëj thirrje opozitës nga Hasi, të kthellohen e t’i thërrasin arsyes e të kthehen në rrugët normale të politikës”, theksoi Lleshaj.

Ministri Lleshaj ndodhej në Kukës e Has në kuadër të nismës ministri “Një ditë në qark”, ku foli për rendin dhe sigurinë./abcnews.al