Grabitja në Pashaliman,shkarkohen disa ushtarakë

schedule11:59 - 4 Shkurt, 2019

schedule 11:59 - 4 Shkurt, 2019

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka përfunduar hetimin administrativ lidhur me vjedhjen e bazës së Pashalimanit më 11 Janar të këtij viti, duke ngarkuar me përgjegjësi komandantin e Forcave Detare, Ylber Dogjani, si dhe të 15 ushtarakëve. Ministria e Mbrojtjes konfirmon shkarkimin e tyre, si përgjegjës të drejtpërdrejtë për ngjarjen e këtij fillimviti, ku u grabit një arsenal armësh si dhe municione luftarake.

Dy rojet dhe dy përgjegjësit u lanë në burg për grabitjen e bazës ushtarake të Pashalimanit. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “dëmtim të aseteve ushtarake”. Ushtarakët e arrestuar për ngjarjen janë; Lesko Ramosaçaj 52 vjeç e Edlir Nelaj, 42 vjeç, përgjegjës; Ervis Memsulaj, 23 vjeç dhe Ardit Ramaj, 25 vjeç roje.

Grabitja ndodhi në orët e para të 11 Janarit. Roja nuk ishte në vendin e qëndrimit që ishte përcaktuar dhe deklaroi në sallë se u largua për shkak të shiut dhe erës së fortë. Kurse përgjegjësit akuzohen se nuk kontrolluan rojet gjatë shërbimit dhe hartimin e procesverbalit pa qenë prezent.

Disa orë pas ngjarjes përgjegjësit dhe rojet u arrestuan dhe gjyqtarja Herila Çela caktoi të njëjtën masë sigurie që kërkoi prokurorit Hyrjet Lamaj atë të arrestit me burg. Asnjë person nuk është arrestuar për vjedhjen e armatimeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!