Shkon në 5 numri i të arrestuarve për grabitjen e miliona eurove në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, pasditen e 9 Prillit. Në pranga ka rënë 32-vjeçari nga Kruja, Elton Pikli, i dyshuar si njëri prej autorëve të grabitjes. Pikli nuk rezulton me precedentë penalë, ndërsa përfshirja e tij është zbuluar gjatë përgjimeve të të dyshuarve të tjerë.
Një tjetër i dyshuar për grabitjen e 9 Prillit në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, është vënë në pranga nga policia. Elton Pikli 32 vjeç, banues në Krujë, është ndaluar nga autoritetet teksa, sipas dyshimeve, po tentohej të largohej drejt Bullgarisë.
Zyrtarisht, policia e shtetit bën të ditur se Pikli është arrestuar mesnatën e së hënës, pas dyshimeve si autor i grabitjes së miliona eurove në Rinas.
Burime nga Prokuroria e krimeve të Rënda shprehen se fillimisht, Pikli u ndalua nga autoritetet bullgare, ndërsa kur është sjellë në pikën kufitare të Qafë-Thanës, i është prerë fleta e arrestit. Ai është tanimë zyrtarisht një prej 5 të dyshuarve si autorë ose të implikuar në grabitjen e 9 Prillit.
Sipas burimeve, ai nuk rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa mësohet se emri i tij ka dalë gjatë përgjimeve të bisedave telefonike me të dyshuarit e tjerë.
Pritet që dëshmia e Elton Piklit të ndihmojë grupin hetimor në zbardhjen e elementëve të tjerë që do të çonin drejt zbulimit edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë grabitje.
Mbi Elton Piklin, rëndojnë akuzat e “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” si dhe “Vrasje e Punonjësve të Policisë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë./abvcnews.al