Grabitja e Prokurorisë së Durrësit, lihen në burg dy të dyshuarit dhe roja

schedule11:33 - 27 Maj, 2018

schedule 11:33 - 27 Maj, 2018

Të dy personat e dyshuar për grabitjen e Prokurorisë së Durrësit dhe roja objektit u lanë në burg nga Gjykata e Durrësit. Të akuzuarit janë Artur Isa, 49 vjeç dhe Besnik Bushi, 54 vjeç.  Prokurori tha se janë gjetur 13 gjurmë të vlefshme për identifikimin e autorëve.

Të akuzuar për të njëjtën vepër penale, por nuk i folën njëri-tjetrit. Në seancën e masës së sigurisë, të akuzuarit për grabitjen e Prokurorisë, Artur Isa dhe Bensik Bushi, nuk i folën njëri-tjetrit.

Ata dhanë mesazhin që nuk njihen me njëri-tjetrin.

Me një pamje dhe qëndrim të  lodhur, herë kokëulur dhe herë indiferent nga ajo çfarë thuhej dhe ndodhte në gjykata, pritën qetësisht vendimin e trupit gjykues.

Të dyshuar për dëmtimin e serverit të prokurorisë dhe vjedhjen e dosjeve hetimore, Gjykata e Durrësit vendosi t’i lerë në burg të tre, rojen Nias Lena dhe Isën me Bushi.

Prokurorët e çështjes, Drini Pali dhe Pali Deconlli, deklaruan që në fillim se u gjetën 13 gjurmë të vlefshme të autorëve në zyrën e prokurori Afrim Shehut dhe të një oficeri të policisë gjyqësore. Ato, sipas akuzës, janë të Artur Isës dhe Besnik Bushit, ndaj dhe u arrestuan.

Prokuroria deklaroi se nëpërmjet provave shkencore nuk ka asnjë dyshim se ata janë dy autorët që dëmtuan serverin dhe vodhen fashikuj të dosjeve të ndryshme hetimore.

Pala mbrojtëse nuk pranoi akuzat. Ajo kërkoi një masë sigurimi më të butë dhe jo atë të arrestit me burg.

Gjyqtarja e çështjes, Laureta Tafa, pasi dëgjoi palët dha vendimin arrest me burg për të tre personat, duke theksuar se për dy prej të pandehurve, janë gjetur prova shkencore që i akuzojnë.

Gjurmët daktiloskopike kapilare kanë vërtetuar se Artur Isa dhe Besnik Bushi kanë qenë mëngjesin e 25 Majit brenda mjediseve të prokurorisë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!