TIRANË- Prej dy ditësh Policia dhe grupi hetimor po kryen verifikime për identifikim dhe kapjen e autorëve, të cilët hynë në një banesë në zonën e Prushit në Tiranë, ngjarje kjo e cila çoi në përplasje me Policinë.
Sipas hetimeve, bazuar te pamjet e kamerave të sigurisë, në grup kanë qenë pesë persona, të cilët pavarësisht organizmit nuk kanë arritur të marrin asgjë në banesën e familjes së Gani Himës.
Gazetari i ABC News Ervin Leka thotë se kontrollet janë kryer në disa magazina dhe banesa dhe garazhe, konkretisht në Fushë Krujë, Nikël dhe Rinas.
Për ngjarjen janë shoqëruar disa persona, ndërsa dëshmia e tyre mund të ndihmojë grupin hetimor të bjerë në adresë të grabitësve, të cilët shkaktuan panik në familjen Hima.
Po ashtu një tjetër pistë hetimi është krahasimi i pamjeve filmike me ngjarje të tjera grabitjeje, si rasti i grabitjes së argjendarisë në Kamëz pak ditë më parë.
Targat e dublikuara të automjeteve dhe levat e përdorura, dyshohet se i përkasin të njëjti grup grabitësish. Gjithsesi, grupi hetimor thotë se është shumë pranë zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje./n.m.abcnews.al