Grabitësit e Rinasit, burg për Piklin ndërsa Veseli ankimon

schedule13:40 - 26 Prill, 2019

schedule 13:40 - 26 Prill, 2019

Ndërkohë, një nga të arrestuarit e tjerë për grabitjen në Rinas, Elton Pikli do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Vendimi për 32-vjeçarin që u arrestua në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria, u mor sot nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg pa afat të arrestuarin e pestë për grabitjen e bujshme në Rinas, Elton Piklin. 32 vjeçari, banues në Krujë, është ndaluar nga autoritetet teksa, sipas dyshimeve, po tentohej të largohej drejt Bullgarisë. Pikli është arrestuar mesnatën e së hënës, pas dyshimeve se është i përfshirë dhe ai në grabitjen e disa miliona eurove në Rinas.

Pikli në pikën kufitare të Qafë-Thanës, i është prerë fleta e arrestit. 32-vjeçari nga  Kruja  është identifikuar nga bashkëpunëtori i drejtësisë Aklond Bengasi. Elton Pikli nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe mohon të jetë i përfshirë në ngjarjen e 9 Prillit, ku u grabitën disa miliona euro në aeroportin e Rinasit.

Ndërkohë Oltion Veseli, një nga të arrestuarit për grabitjen në Rinas kërkon të lirohet nga qelia. Përmes avokatit të tij Ramazan Topuzi, Veseli ka ankimuar masën e sigurise “arrest ne burg” caktuar me parë nga gjykata për Krimet e Rënda. Në ankimin e depozituar në Apel, Veseli pretendon se vendimi që e la në burg është marrë në mungesë të provave dhe fakteve.

Alkond Bengasi e ka identifikuar nëpërmjet fotove Veselin te dreka që ai flet se ka takuar Admir Muratajn dhe dy personat e tjerë nga Kosova të njohur me pseudonimet “Daja” dhe “Tani”. Numri i personave të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje ka vajtur në 17. Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me Policinë po vijojnë punën për arrestimin e vëllezërve Eldi dhe Klemend Çala që janë të shpallur në kërkim.

Ditën e enjte është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e Renaldo Sulës, që ishte shtetase gjermane. Bashkëshortja ka mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria për Renaldo Sulën duke thënë se nuk kishte dijeni për ngjarjen. Prej dy ditësh policia e shtetit ushtroi kontroll ne qytet e Krujës dhe Elbasanit në banesat e personave të arrestuar, të cilët  dyshohen se janë përfshirë në grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për ABC Neës deri më tani nuk janë gjetur prova të rëndësishme që të kenë lidhje të drejtpërdrejtë më grabitjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!