Google ka shkelur ligjin me monopolin mbi kërkimet në internet

schedule07:16 - 6 Gusht, 2024

schedule 07:16 - 6 Gusht, 2024

Një gjykatës arriti të hënën në përfundimin se kompania Google shkeli ligjin kur mbajti monopolin mbi kërkimet në internet, duke shtypur konkurrencën dhe tkurrur inovacionin.

Vendimi ka gjasa të ketë pasoja të jashtëzakonshme për internetin dhe të paralizojë një nga kompanitë më të njohura në botë. Gjykatësi i qarkut të Uashingtonit, Amit Mehta e mori atë një vit pasi Departamenti i Drejtësisë paditi kompaninë Google në përballjen më të madhe antitrust në Shtetet e Bashkuara që prej një çerek shekulli.

“Pasi shqyrtoi dhe peshoi me kujdes dëshminë dhe provat, gjykata arrin në përfundimin e mëposhtëm: Google është një (kompani) monopoliste dhe ka vepruar si e tillë për të ruajtur monopolin e vet”, shkruan gjykatësi Mehta në vendimin e tij prej 277 faqesh.

Ai tha se dominimi i Google në tregun e kërkimit në internet, është dëshmi e monopolit të saj.

Google “kontrollon 89.2% të tregut për shërbimet e kërkimit të përgjithshëm, një shifër që shkon në 94.9% në pajisjet celulare”, thuhet në vendimin që përbën një humbje madhore për Google dhe kompaninë ombrellë të tij, Alphabet Inc., e cila kishte argumentuar me forcë se popullariteti i motorit të saj të kërkimit buronte nga kërkesa e madhe e konsumatorëve për ta përdorur atë, falë cilësisë së lartë, që “e ka kthyer në sinonim të kërkimit në internet”.

Motori i kërkimit i Google aktualisht përpunon rreth 8.5 miliardë pyetje në ditë në mbarë botën, pothuajse dyfishi i vëllimit të tij ditor krahasuar me 12 vjet më parë, sipas një studimi të fundit të publikuar nga firma e investimeve BOND.

Kent Walker, presidenti i Google për çështjet globale, tha se kompania synon ta apelojë vendimin e gjykatësit e Mehta:

“Ky vendim e konfirmon se Google ofron motorin më të mirë të kërkimit, por arrin në përfundimin se ne nuk duhet të lejohemi ta bëjmë atë lehtësisht të disponueshme”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!