Gomonia me drogë, shqiptarët e arrestuar zgjedhin “kodin e heshtjes”

schedule19:24 - 26 Shtator, 2019

schedule 19:24 - 26 Shtator, 2019

Dy shtetasit shqiptarë të arrestuar nga marina greke në bordin e një gomoneje me drogë kanë zgjedhur të heshtin përpara hetuesve helenë, që po përpiqen të zbulojnë rrënjët e grupit kriminal që fshihet pas linjës së trafikut Shqipëri-Turqi-Greqi.

Autoritetet greke po kryejnë hetime intensive për të identifikuar grupin kriminal të përfshirë në trafikun e drogës me gomone, pas sekuestrimit të njërës prej tyre ditën e mërkurë nga marina helene. Sipas mediave greke, autoritetet në vendin fqinj kanë marrë në pyetje tre trafikantët që ndodheshin në bordin e gomones, dy shtetas shqiptarë dhe një italian, por ata kanë zgjedhur të heshtin. Sidoqoftë, hetuesit kanë konstatuar se dy mjetet lundruese, nga të cilat u bllokua vetëm njëra, ishin nisur nga jugu i Shqipërisë drejt Turqisë për të bërë një shkëmbim lëndësh narkotike. Më pas, malli i marrë nga Turqia do të shitej në tregjet e Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë – shkruan gazeta “Protothema” në edicionin e saj online. Sipas burimit, gjatë ndjekjes në det të hapur, trafikantët kanë hedhur në ujë një pjesë të drogës. Zyrtarët grekë ishin në dijeni të lëvizjeve të dy gomoneve, por ishin në pritje që ato të mbërrinin në Greqi për t’i ndaluar dhe për të arrestuar të dyshuarit dhe kontaktet e tyre në territorin helen. Gomonia u ndoq për disa orë nga roja bregdetare greke dhe u ndalua falë përdorimit të një snajperi që qëlloi motorin e saj nga një helikopter. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!