Gazetari Artan Hoxha ka folur në studion e ABC News për gomonen e kapur ditën e sotme në ujërat e Vlorës pas një aksioni të policisë shqiptare me atë italiane.
Ai tha se bandat kriminale sot po përdorin mjete mjaft të fuqishme të cilët nuk mund të kapen nga policia.
Hoxha deklaroi se po vijojnë kërkimet për të vërtetuar nëse ka pasur drogë në skaf apo jo, ndërsa e cilësoi braktisjen e gomones një strategji për të humbur gjurmët duke theksuar se pavarësisht kostos së saj për këta grupe ajo është një humbje minimale.
“Trafiku i lëndëve narkotike nga Shqipëria nuk është ndërprerë ndonjëherë. Ai ka një luhatje si kurba e Covidit.
Gomonet që përdoren sot janë shumë të fuqishëm, të cilat mund t’i kapësh vetëm nëse i mbarohet karburanti, ose në zbarkim të lëndës narkotike, pasi janë shumë të shpejta. Rasti i Met Kananit është ekzemplar, u kap banda, por nuk u kap kurrë as skafi dhe as skafisti.
Këta njerëz merren me atë punë. Grupet kriminale kanë një aftësi të madhe financiare dhe financojnë për të blerë skafe të fuqishme.
Operacioni i sotëm i zhvilluar ditën në një kohë të mirë dhe prapë nuk u kap ngarkesa dhe as skafistët. I gjithë operacioni në fund u gjet vetëm skafi i braktisur. Ende nuk dihet tashmë nëse ka pasur ngarkesa. Deri tani kemi vetëm një mjet që është humbje minimale për ata.
Rasti i sotëm u bë i bujshëm sepse italianët hynë në lojë. 1 Kg kanabis në Shqipëri ka shkuar 1000 euro”, tha Artan Hoxha./abcnews.al