Goli i parë me Kukësin dhe debutimi në Superiore, flet talenti Domi

schedule23:24 - 8 Nëntor, 2019

schedule 23:24 - 8 Nëntor, 2019

Talenti i Kukësit, Fluturim Domi, e ka nisur këtë sezon të ri në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe pse vetëm 19-vjeç, mesfushori anësor arriti të debutojë në Superiore me fanellën e verilindorëve, në atë fitore 1-0 kundër Flamurtarit.

Gjithashtu, Domi është një nga titullarët në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, aty ku ka shënuar dhe golin e parë me Kukësin, në sfidën ndaj Shkumbinit.

Në një intervistë për ABC News, Domi foli për arritjet e tij të deri tanishme, synimet që ka për të ardhmen dhe tregoi momentin e tij më të bukur në karrierë deri më tani, që padyshim ishte ai debutim në Superiore.

-Goli kundër Shkumbinit ishte i pari me fanellën e Kukësit. Çfarë menduat në ato momente?
“Ishte kënaqësi e papërshkrueshme të shënoja golin e pare. Për më tepër, edhe prindërit e mi ishin ne tribunë dhe ishte ndjenje e jashtëzakonshme”.

Domi duke festuar golin ndaj Shkumbinit | Kukësi – Shkumbini (6-0)

-Debutuat në Superiore kundër Flamurtarit, vetëm 19-vjeç. Një moment që vështirë të harrohet…
“Normalisht, si gjithmonë debutimi nuk harrohet kurrë. Ishte ëndrra ime te debutoja me fanellën e ekipit te qytetit tim dhe ishte një moment për të cilin ndihem krenar”.

-Edhe pse në moshë të re, dukeni shumë pranë ekipit të parë. Si kuksian, sa e rëndësishme është për ty të jesh i suksesshëm të Kukësi?
“Padyshim që është një nder për mua të jem pjesë e Kukësit, dhe pse jo, te mos fitoj sa me shumë me ekipin e zemrës dhe të qytetit tim”.

-Si një ndër lojtarët më të rinj në grup, të ngacmojnë “senatorët” e ekipit?
“Jo, përkundrazi. Më kanë ndenjur shumë afër dhe më kanë ndihmuar shumë. Musolli dhe Ethemi më janë gjendur gjithmonë afër, për çdo gjë, pasi jam një lojtar i ri”.

-Momenti më i rëndësishëm: Goli kundër Shkumbinit apo debutimi në Superiore?
“Te dy momentet janë ndjenja që do të mbeten gjithmonë në mendjen time. Do të veçoja debutimin në Superiore, por edhe shënimi i golit ishte një ndjesi e bukur”, përfundoi Domi./abcnews.al

Domi duke festuar golin ndaj Shkumbinit | Kukësi – Shkumbini (6-0)