Trajneri i Partizanit Ilir Daja doli në konferencë për mediet para ndeshjes me Teutën ditën e nesërme për javën e 25-të të Superiores. Trajneri i kuq tregoi gjithë çështjet aktuale që prekin klubin e kuq.
“Nuk ka qenë e vështirë të jemi të motivuar sepse vijmë pas dy ndeshjeve shumë të mira, si pas derbit dhe pas asaj në Kupë, pavarësisht se u eliminuam dhe është e rëndësishme. Nuk ka më komente sepse u pa nga të gjithë që në atë ndeshje ne nuk kishim shumë shanse të kualifikoheshim, jo për lojën tonë, por për episodet në ndodhën në lojë.
Ta mbajmë kokën lart sepse kemi dy ndeshje që luajmë shumë mirë ndaj dy rivalëve shumë të fortë. Vjen dueli me Teutën, që është po aq i fortë sepse jemi me pikë të barabarta, përballet sulmi më i mirë i Superiores me mbrojtjen më të mirë.
Edhe ne jemi mbrojtja e dytë më e mirë e kampionatit. Kemi pikë të barabarta dhe ecuri thuajse të njëjtë sepse edhe Teuta ka qenë vazhdimisht në katërshen e parë të tabelës. Do të jetë një ndeshje e luftuar, ashtu siç ndodh zakonisht mes Partizanit e Teutës.
Pas ndeshjes nuk e citova arbitrin, por moderatori i Supersport më pyeti për penalltitë sepse ne nuk merremi me arbitrat sepse të gjithë gabojnë një herë. Kur më pas përsëritet nuk është më gabim, është faj. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nëse vazhdojmë të merremi me arbitrat, nuk nxjerrim gjë në dritë.
Synimi ynë është që edhe nëse arbitrat duan të bëjnë diçka, të mos ia japim këtë mundësi. Kjo nuk do thotë që shtohet acarimi, por përqendrimi. Goditjet standarde do jenë shumë të rëndësishme sepse edhe Teuta ka shumë forcë në lojën në ajër, si në mbrojtje edhe në sulm. Edhe ne kemi frcë sepse mbi 60% të golave i kemi shënuar me goditje standarde.
Besoj se do jetë element që do e vlerësojmë shumë në këtë ndeshje. Do ketë përplasje të forta sepse ne nuk e copëtojmë repartin e sulmit, por të gjithë marrin pjesë në të dy fazat, por duke parë që Teuta është ekipi me më pak gola të pësuar dhe ne jemi sulmi me më shumë gola të shënuar, do ketë dyluftime të forta mes dy ekipeve në të dy fazat e lojës.
Kur një lojtar grumbullohet me ekipin kombëtar është maksimumi i vlerësimit të atij lojtari dhe ne duam që sa më shumë nga Partizani të shkojnë nëpër kombëtare, që të kemi individë që përfaqësojnë denjësisht fanellën e Partizanit dhe kombëtares.
Dominguez nuk është se nuk ka formën e duhur, por vjen nga një futboll tjetër, me një ashpërsi më të madhe se futbolli ynë, duke qenë se është qendërmbrojtës kemi frikën për gabime të mundshme derisa të përshtatet me futbollin tonë. Janë të gjithë të plotë, përveç Ferhan Hasanit, i cili do jetë në bankinë, por nuk rrezikojmë edhe në këtë ndeshje sepse nuk ka mbyllur fazën e terapisë dhe nuk është në kushtet e duhura”, u shpreh Daja. /abcnews.al