“Goditja nga i nxehti”: Çfarë është dhe si të mbrohemi

schedule10:57 - 14 Gusht, 2020

schedule 10:57 - 14 Gusht, 2020

Nga Dr.Erjon Dushi*
Stina e Verës në vendin tonë shoqërohet gjithmonë me temperatura të larta ndaj është e rëndësishme që të gjithë të jemi të kujdesshëm dhe të mos ekspozohemi në diell gjatë orëve të pikut.

Ndërkohë është shumë e rëndësishme që të jemi të mirëinformuar mbi pasojat negative që ka në shëndetin tonë ekspozimi I pakujdesshëm ndaj këtyre temperaturave ekstreme, një ndër të cilat është “Goditja nga i nxehti (Heat Stroke)”.

Dr.Erjon Dushi

Ҫfarë është goditja nga të nxehtit?

Goditja nga të nxehtit është një gjendje që prezantohet si urgjencë mjekësore me rrezik për jetën dhe shkaktohet nga pamundësia e organizmit për të ekuilibruar nxehtësinë trupore.

Goditja nga të nxehtit prek personat që ushtrohen në klimë të nxehtë dhe të lagësht dhe që nuk kanë marrë mjaftueshëm lëngje, por goditja klasike nga të nxehtët prek më shpesh personat mbi 70 vjeç të cilët vuajnë nga sëmundje që dëmtojnë aftësinë e organizmit për të ekuilibruar nxehtësinë trupore.

Cilët janë personat më të prekur?
Zakonisht moshat mbi 70 vjeç që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare dhe janë nën terapi me antihipertensivë, veçanërisht betabllokues dhe diuretikë, të sëmurët neurologjikë dhe ata psikiatrikë që marrin preparate me veti antikolinergjike, obezët, si edhe përdoruesit e drogave si kokaina, alkooli.

Cilat janë shenjat e goditjes nga të nxehtit?

Temperaturë trupore mbi 40 gradë celcius (është e rëndësishme që të matet temperatura rektale)

Shenja neurologjike si:
Konfuzion, përhumbje e shoqëruar me vështirësi orientimi dhe për të menduar qartë
Dhimbje koke
Krampe (ngërçe)
Kriza epileptike
Humbje të vetëdijes

Shenja të përgjithshme si:
Frymëmarje e shpejtë, rrahje të shpejta të zemrës, rënie e presionit arterial, hiperemi (skuqje) e lëkurës, të vjella

A duhet të lajmëroj mjekun?
Po. Ju duhet të lajmëroni menjëherë shërbimin e urgjencës

A ka analiza për goditjen nga të nxehtit?
Nuk ekzistojnë analiza specifike për këtë diagnozë, por disa analiza janë të rëndësishme për të vlerësuar dëmtimin e organizmit, veçanërisht zemrën, veshkat, mëlçinë dhe koagulimin e gjakut të cilat mund të preken në të tilla raste.

Si trajtohet goditja nga të nxehtit?
Duke qenë jetëkërcënuese kjo gjendje trajtohet shpesh në kushte të terapisë intensive. Masa më e rëndësishme është ftohja e trupit me ujë ne trajtë avujsh dhe ventilim përreth trupit. Në disa raste përdoret vaskë me ujë me akull. Një seri masash të tjera duke përfshirë asistencën respiratore janë ndihmëse deri në daljen nga gjendja akute.

Si mund të parandalohet?
Evitoni aktivitetin fizik në temperatura të larta
Konsumoni lëngje
Vishni rroba të lirshme

Nëse janë shfaqur shenjat?
Lajmëroni shërbimin e Urgjencës
Spërkatni trupin me ujë dhe qëndroni para një ventilatori
Qëndroni në ambient me hije
Pini ujë (jo pije alkoolike apo pije me kafeine)
Vendosni pako me akull poshtë aksilave (sqetullave)

*Mjek Neurolog, Spitali Hygeia
Urgjenca: 04 23 23 000