Pas tre javësh hetime intensive me metoda proaktive, Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Storm 9”, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e grave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim shtetasi D. G., 28 vjeç, me origjinë nga Kolumbia, i dyshuar si organizatori kryesor i veprimtarisë kriminale. Ai akuzohet për “Trafikimin e personave të rritur” dhe “Shfrytëzimin e prostitucionit”.
Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë dy shtetase kolumbiane, M. A. dhe Y. C., të dyja 24 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku dyshohet se ushtronin prostitucion dhe shpërndanin lëndë narkotike. Ato akuzohen për “Prostitucion”, “Përshtatje e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Policia ka nisur procedim penal edhe për pronarin e apartamentit, shtetasin V. R., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Po ashtu, janë proceduar penalisht tre shtetas të tjerë, M. S., E. B. dhe A. H., për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjatë kontrollit në apartamentin e përdorur për veprimtarinë e paligjshme, u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si cannabis sativa, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, pesë celularë dhe pasaportat e dy shtetaseve të arrestuara.

