TIRANË– Në Tiranë është zbuluar një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara. Policia thotë se ka sekuestruar 23 armë zjarri, pesë prej tyre me snajper, një silenciator, 17 krehra me municion luftarak.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihet në pranga 34-vjeçari Eugert Sino, që dyshohet se i posedonte. Po ashtu janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e Eugert Sino, u gjetën:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Aktualisht vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale/abcnews.al

