Arrestohen në Itali katër shtetas shqiptarë anëtarë të një bande që merrej me trafikun e drogës por dhe me vendosjen e gjobave ndaj biznesmenëve në zonën e Bergamos. Të arrestuarit ishin me precedentë penalë.
Policia italiane zbuloi një grup kriminal italo-shqiptar që merrej me trafik droge, armëmbajtje pa leje, kërcënim e zhvatje me dhunë ndaj sipërmarrësve në provincën e Bergamos. Me anë të metodave mafioze, dhunës fizike e kërcënimit me vdekje kjo bandë kërcënonte biznesmenët e zonës të paguanin shuma të mëdha parash për të garantuar mbrojtjen e aktivitetit të tyre.
Në pranga kanë përfunduar shtatë persona, shqiptarë dhe italianë, identiteti i të cilëve nuk është zbardhur nga policia italiane. Ndërsa 6 anëtarë të tjerë të këtij grupi kriminal janë arrestuar gjatë hetimeve të mëparshme të këtij operacioni. Ndaj 3 anëtarëve shqiptarë të bandës rëndon dhe akuza e trafikut të drogës, ndërsa ndaj një tjetër anëtari po shqiptar, rëndon dhe akuza e shkeljes së ligjit të emigracionit.
Hetuesit italianë kanë dokumentuar e filmuar raste të shumta kërcënimesh me dhunë në zhvatjen e pronarëve në disa lokale të provincës së Bergamos.
Përgjatë këtij operacioni janë sekuestruar 4 armë zjarri me numër serie të fshirë, municione, silenciatorë dhe para cash. /abcnews.al