Godina të rikonstruktuara në Qytetin Studenti

schedule12:36 - 21 Qershor, 2018

schedule 12:36 - 21 Qershor, 2018

Studentët që banojnë në ambientet e Qytetit Studenti nr.2 do të përfitojnë tashmë nga dy konviktet e rinovuara rishtazi sipas parimit të efiçencës së energjisë ndërkohë që dy konviktet e tjera do të përfundojnë brenda vitit 2018.

Një mijë studentë do të kenë kushte më të mira në ambientet e qytetit studenti. 6.8 milionë euro të dhëna nga banka gjermane KfË  bënë të mundur rinovimin e Qytetit Studenti nr.2 përmes një sistemi të përmirësuar ngrohjeje dhe izolimi si edhe rinovimit nga e para të strukturës së brendshme të godinave duke siguruar kështu kushte më të rehatshme për studentët. Ministri I infrastrukturës dhe energjisë Damian Gjiknuri njoftoi nisjen e fazës së dytë të rikonstruksionit.

“Jam i bindur se ne shumë shpejt do të vazhdojmë dhe me fazën e dytë të këtij programi kaq të rëndësishëm për eficiencën në energji që është ndërhyrja në Qytetin Studenti numër 1. Është një ndërhyrje më e madhe e cila shkon gati 10 milionë euro, pra krahas 6 milion eurove të investuara këtu, gjë që do të përbëjë stokun më të madh të investimit në fushën e eficiencës së energjisë.”

Për Ambasadoren e Gjermanisë i rëndësishëm është bashkëpunimi që solli këtë produkt.

“Në 30 vite të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, që ne e festojmë këtë vit, ky projekt është një model i përmbushjes së objektivave. Pra po përmirësojmë kushtet e jetesës për njerëzit, të promovojmë punësimin dhe të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian duke përmbushur dhe angazhimet ndërkombëtare”

Ky është një projekt pilot që sipas përfaqësuesit të bankës KfW do të mund të përdoret edhe për konvikte të tjera studentësh, apo ndërtesa publike duke treguar se si mund të reduktojmë konsumin e energjisë me 50 apo 60%.