Godina e Fakultetit të Gjeologji-Minierave do t’i mbetet studentëve

schedule14:29 - 19 Korrik, 2019

schedule 14:29 - 19 Korrik, 2019

Marrin fund përpjekjet disavjeçare të studentëve dhe pedagogëve të Gjeologji-Minierave për godinën e fakultetit. Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, çështja është zgjidhur ndërsa rikonstruksioni do të kryhet me fonde private.

Godina e Fakultetit të Gjeologji-Minierave në Tiranë do t’i mbetet studentëve. Konfirmimi vjen nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

“Kemi pasur një problem teknik për sa i përket pronësisë së ndërtesës dhe planeve që në të shkuarën është bërë për këtë ndërtese, por është zgjidhur pak javë më parë dhe tashmë ajo ndërtesë është e destinuar për të vazhduar për të qenë ndërtesa ku Fakulteti i Gjeologjisë duhet të kryejë veprimtaritë e tij”, tha Balluku.

Ndërtesa ka nevojë për rikonstruksion të plotë. Projekti do të hartohet nga Fakulteti i Arkitekturës, por qeveria nuk ka fonde për ta zbatuar.  Përfaqësuesit e kompanive minerare do të ndihmojnë në realizmin e tij.

“Ne do ta mbështesim këtë nismë. Normalisht jo vetëm nga ana e infrastrukturës, por edhe në një bashkëpunim me dekanatin për të nxjerrë sa më shumë inxhinierë për të punësuar”.

Marrja fund orvatjeve disavjeçare në kërkim të një zgjidhje i duket e pabesueshme Dekanit të Fakultetit të Gjeologji-Minierave.

“Zonja ministre e keni seriozisht? Në 2011 është bërë një projekt për rikonstruksionin e asaj godine, por nga 2014-n që nuk e kishim më tonën atje nuk është ngulur më një gozhdë sepse Rektori thoshte nuk ta jap gozhdën sepse ti do ta ngulësh te Gjykata Kushtetuese dhe me të drejtë. Kështu që unë nuk merrja dot fonde as për mirëmbajtje”, tha ai.

Fondi i solidaritetit për ndërtimin e godinës së Fakultetit të Gjeologji-Minierave do të mund të kontrollohet dhe nga Rektorati ndërsa donatorëve sponsorizmi do t’u njihet nga shteti./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!