3-vjeçari, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga gjyshërit e tij, nuk është gjetur ende nga policia.
Efektivët kanë ushtruar kontrolle në disa qytete por kërkimet nuk kanë dhënë rezultat.
Pas denoncimit të nënës së 3-vjeçarit të martën, policia ka kontrolluar disa banesa në Kënetë të Durrësit aty ku jetojnë gjyshërit dhe të afërmit e tyre por nuk kanë mundur ta gjejnë të miturin.
Aksioni i policisë është shtrirë edhe në Kukës e Has, aty ku banojnë disa familjarë të gjyshërve por nuk është gjetur asnjë gjurmë.
Nëna e djalit të vogël ka ngritur dyshime se gjyshja bashkë me të miturin mund të jenë larguar drejt Kosovës por policia ende nuk e konfirmon.
Rexhep Gjuni, gjyshi i 3-vjeçarit, ndaj të cilit ka nisur një procedim penal, pasi marrjes në pyetje është lënë i lirë.
Gjatë orëve të qëndrimit në komisariatin e Durrësit ai nuk ka pranuar të tregojë se ku ndodhet nipi i tij.
Nëna e tre vjeçarit, tha të martës pas denoncimit në polici, se prindërit e bashkëshorti, bazuar në ligjet e kanunit kërkojnë që tre vjeçari të jetojë me ta pas humbjes së të atit vitin e shkuar në aksident.
Sipas 23-vjeçares gjyshërit i kanë thënë që do ia kthejnë djalin pasi të bëhet 18 vjeç.
Rexhep Gjuni dhe bashkëshortja e tij e morën nipin të shtunën e 13 prillit dhe prej asaj dite nuk e kanë kthyer më tek nëna e cila prej ditësh është në merak për jetën e të birit.
/abcnews.al