Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

“Gjyqtarët në Hagë u kthyen në prokurorë”/ Avokati i Popullit në Kosovë publikon raportin e organizatës britanike

schedule17:25 - 1 Maj, 2026

schedule 17:25 - 1 Maj, 2026

Trupi gjykues në Hagë ka funksionuar si një prokuror i dytë.

Ky është një nga konkluzionet e raportit të organizatës britanike The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), i prezantuar të enjten nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj në Kosovë.

Ai ngrin pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.



Një nga kritikat është roli i zgjeruar i gjyqtarëve, i cili – sipas raportit – rrezikon të cenojë parimin themelor të një gjykimi të drejtë: barazinë mes palëve.

Raporti vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes.

Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen.

Të dhënat tregojnë një disproporcion të dukshëm: deri në nëntor 2024, gjyqtarët kaluan 71 orë duke pyetur dëshmitarët, më shumë se secili ekip mbrojtës veçmas. Ndërkohë, mbrojtja është detyruar të shpenzojë mbi 31 orë shtesë për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga vetë gjyqtarët, ndërsa prokuroria vetëm 12 minuta. Kjo pabarazi, sipas raportit, e vendos mbrojtjen në një pozitë strukturore të pafavorshme.

Një tjetër element problematik është mënyra e formulimit të pyetjeve, duke sugjeruar përgjigjen.

Një nga problemet që ngrin raporti është se Gjykata përbëhet vetëm nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Mungesa e ekspertizës vendore kushtetuese ngre pikëpyetje për legjitimitetin dhe kuptimin e ligjit kosovar.

Raporti, po ashtu, konstaton se disa procese dhe vendime në Gjykatën Speciale nuk janë publike ose nuk janë të qarta për palët. Ka shqetësime për komunikime jo transparente.

Organizata britanike thekson domosdoshmërinë e krijimit të një mekanizmi të vazhdueshëm dhe të pavarur  për monitorimin e Gjykatës Speciale, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe sigurimin e standardeve të drejta.

Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve.

Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhet të jepet brenda 90 ditëve, më 19 maj, nëse togat e zeza nuk kërkojnë kohë shtesë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!