“Gjyqtarët e zgjedhjeve të mos preken nga vettingu”, çfarë thuhet në raportin e OSBE-ODIHR

schedule12:23 - 20 Shkurt, 2020

schedule 12:23 - 20 Shkurt, 2020

Sot PD-ja propozoi në tryezën e reformës zgjedhore që gjyqtarët e zgjedhjeve të mos preken nga Vettingu për 4 vite. Ky moratorium sipas tyre duhet të vendoset pasi gjyqtarët ndjehen të kërcënuar nga mazhoranca. “Arma” e kërcënimit është vettingu! Pra sipas PD-së procesi i vetingut ndikohej nga mazhoranca në pushtet, në zgjedhjet e fundit lokale dhe për këtë i referohet raportit të fundit të OSBE-ODIHR.

“Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vetingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon ne veting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vetingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rëndësishëm për zgjedhjet”, thonë burimet nga PD-ja.

Precendeti u krijua në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku u konstatuan probleme edhe pse ishin votime me 1 kandidat. Asokohe PD ankimoi në gjykatë duke kërkuar që të shpallen të pavlefshme mandatet e kryebashkiakëve. Të gjithë e kujtojmë vendimin absurd të Gjykatës së Durrësit e cila brenda 1 jave doli me dy vendime të ndryshme: Një 1 gjyqtar i njihte mandatin Valbona Sakos, dhe 1 tjetër jo!

Më poshtë gjetjet e OSBE-ODIHR në zgjedhjet e 30 qershorit, sa i përket gjykatave

Si autoriteti më i lartë për mosmarrëveshjet zgjedhore, Kolegji Zgjedhor, me ligj, përbëhet nga tetë gjyqtarë, të cilët zgjidhen me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Si rrjedhojë e procesit të vetingut të gjyqtarëve, Kolegji Zgjedhor ka aktualisht vetëm gjashtë gjyqtarë. Ndonëse kaq mjafton për gjykimin me trupa prej pesë gjyqtarësh, siç e kërkon ligji, disa seanca është dashur të shtyhen për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për arritjen e kuorumit.

Vendimet e Kolegjit Zgjedhor duhet të merren brenda dhjetë ditësh; ato janë të formës së prerë dhe duhet të zbardhen brenda tre ditësh nga marrja e vendimit. Ndonëse vendimet jepen në seanca të hapura për publikun, ato janë të aksesueshme vetëm në faqen zyrtare të Kolegjit Zgjedhor për personat që kanë një fjalëkalim të posaçëm, gjë që nuk e lehtëson informimin e përgjithshëm të publikut rreth rregullave të procesit zgjedhor dhe nuk kontribuon në transparencën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore.

Si KQZ-ja, ashtu edhe Kolegji Zgjedhor iu përmbajtën afateve të parashikuara me ligj për gjykimin e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Deri më 30 qershor, në KQZ u paraqitën 16 ankesa ndaj vendimeve të KZAZ-ve, kryesisht në lidhje me regjistrimin e kandidatëve. Trembëdhjetë vendime të KQZ-së u ankimuan në Kolegjin Zgjedhor, i cili hodhi poshtë tre prej tyre dhe la në fuqi nëntë vendime të KQZsë.50 Interpretimi i ngushtë i Kolegjit Zgjedhor të legjitimitetit të palëve garuese për të kundërshtuar regjistrimin e garuesve të tjerë cenon të drejtën për t’u ankimuar ndaj ligjshmërisë së regjistrimit të kandidatëve.

Më 13 qershor, KQZ-ja hodhi poshtë kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në zgjedhje, duke e bazuar vendimin pjesërisht tek arsyetimi se dekreti i Presidentit i datës 10 qershor është i pavlefshëm. Më 24 qershor, Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë ankimin ndaj vendimit të KQZ-së dhe e konstatoi gjithashtu të pavlefshëm dekretin e 10 qershorit të Presidentit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!