Ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj përsëriti kërkesën për pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, për procesin penal të “Sterilizimit” me argumentin se nuk ekziston një akt i vlefshëm i shkruar formalisht nga prokuroria e posaçme për akuzën e re.
Në alternativë të kësaj, Beqaj i kërkoi togave të zeza pezullimin e gjykimit në themel dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Ish zyrtari i nivelit të lartë kundërshton mënyrën se si gjyqtari i seancës paraprake formësoi një akuzë të re, pasi kjo është kompetencë e organit të akuzës, për këtë arsye ai kërkon verifikimin e procedurës dhe interpretim të saj, bazuar në Kushtetutë dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndryshe nga seancat e kaluara, Ilir Beqaj u fut në sallën e gjykimit nga korridori i Gjykatës së Posaçme, i shoqëruar me dy punonjës policie dhe qëndroi në sallë pranë avokatëve mbrojtës. Shkalla e parë e gjyqësorit seancën e kaluar pranoi kërkesën e ish ministrit për të qëndruar jashtë kafazit të qelqit, duke qenë se ai është hetuar me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga SPAK.
Ai po gjykohet me procedurë të zakonshme në një proces të ndarë, i dyshuar nga prokuroria për kryerjen e veprës penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit kriminal”.
Përveç këtij procesi, ndaj Ilir Beqajt rëndojnë një sërë akuzash të tjera për hetimin lidhur me abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian në kohën kur ai ka drejtuar agjencinë SASPAC. Në këtë çështje, Beqaj mbahet në masën shtrënguese të arrestit në burg.



