Shtyhet sërish seanca gjyqësore për dosjen Partizani. Mësohet se seanca e radhës do të zhvillohet më 12 janar.
Më herët gjatë seancës, avokatja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Klodiana Gjyzari ka bërë parashtrimet e saj.
Mësohet se mbrojtja e Berishës ka argumentuar se SPAK nuk ka asnjë provë apo veprim konkret se çfarë ka bërë Berisha.
“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cenuar pluralizmin ne Shqipëri. Janë shtrembëruar në mënyrë të dukshme faktet. Me këtë rast, kanë thënë për çdo gjë ‘fajin e ka Saliu’, por harrohet që gjatë vendimmarrjeve organet janë kolegjiale. Ka parashtrim të rremë të fakteve”, ka thënë ajo, duke shtuar: “Taulant Balla nuk e ka bërë kallëzimin si shtetas; me këtë duam të themi se nuk është e vërtetë ajo që tha gjyqtarja paraprake, se kallëzimi është bërë nga një shtetas. Balla e ka bërë kallëzimin si përfaqësues i shumicës politike. Dhe gjatë kohës së hetimeve, z. Balla ka qenë ministër i Brendshëm. SPAK e regjistroi drejtpërdrejt sapo u paraqit kallëzimi. Pavarësisht se Balla kishte paraqitur kallëzim publik, Prokuroria nuk e kishte regjistruar këtë çështje si procedim penal kryesisht. Nga përmbajtja e kallëzimit janë regjistruar këto elementë: interesi i shpronësimit të ish-pronarëve, sipas Ballës, ka nisur në vitin 2008. Sipas zotit Balla, në vitin 2008 kanë ndodhur të gjitha, dhe sipas kallëzuesit fakti që Malltezi është i afërt me kryeministrin e kohës ka sjellë këtë proces”.

