Bojkoti i Superiores ka marrë vëmendjen kryesore gjatë kësaj periudhe, por nuk kanë munguar edhe zhvillimet e tjera. Në faqen e parë të së përditshmes sportive “Panorama Sport” mund të veçosh prapaskenat e regjistrimit të Jasir Asanit dhe Alessio Hysenit te Partizanit, apo frikën e përhapjes së COVID-19 te Vllaznia.
Në Shkodër prej dy ditësh kanë munguar tre futbollistë, të cilët kanë pasur simptoma. Në artikull thuhet se ata që nuk janë shfaqur janë Erdenis Gurishta, Herald Marku dhe Dajan Shehi. Njëri prej tyre ka bërë tamponin dhe pritet përgjigja.
Në kampin kuqeblu shpresojnë që të mos jetë pozitiv, në mënyrë që ai dhe dy lojtarët e tjerë të rikthehen të stërviten normalisht me pjesën tjetër të skuadrës. Sot pritet që të mësohet edhe përgjigja e testit dhe normalisht njëfarë ankthi ekziston te Vllaznia.
GJYQET – Jasir Asani dhe Alessio Hyseni ishin të huazuar vjet nga Partizani. I pari tek AIK në Suedi, kurse tjetri te KI Klaksvik në Ishujt Faroe. Me merkaton e bllokuar prej çështjes “Çinari”, në kampin e kuq kanë pasur vështirësi në regjistrimin e tyre në skuadër.
Partizanit i është dashur të bëjë gjyq në FIFA për të regjistruar dy lojtarët që kthehen nga huazimi dhe fatmirësisht ia ka dalë. Të dy lojtarët do të mund të luajnë me të kuqtë sezonin e ardhshëm dhe për trajnerin Daja janë elementë të rëndësishëm. /abcnews.al