Kukësi është në gjyq në CAS me ish-lojtarin e tyre, Filip Zderic. Ky i fundit nuk qëndroi shumë te klubi verilindor për shkak të paraqitjeve jo të mira dhe u largua pa ardhur fundi i kontratës.
Më pas ai ngriti një padi në CAS ndaj Kukësit për dy paga të padhëna dhe prishje të njëanshme të kontratës. Në CAS raportohet se gjyqi mes palëve është zhvilluar më datë 10 dhjetor.
Kështu mund të themi se dy palët janë përballur në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë dhe në ditët në vijim do të jepet vendimi. Shuma e kërkuar nga lojtari shkon 52 mijë euro.
Ai kërkon dy muaj paga të padhëna në muajt qeshor-korrik 2018, kur Kukësi e kishte lënë jashtë fazës përgatitore dhe nuk e kishte paguar, që faturohen me 8 mijë euro.
Zderic kërkon edhe një dëmshpërblim prej 44 mijë eurosh për prishje të njëanshme të kontratës nga klubi, kërkesë për të cilën FIFA i ka dhënë të drejtë dhe tashmë pritet vendimi përfundimtar i CAS. /abcnews.al