Gjykohen magjistratët e shkarkuar/ Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Lulo i pandehur për fshehje pasurie

schedule12:32 - 26 Prill, 2023

schedule 12:32 - 26 Prill, 2023

TIRANË – Në Gjykatën u zhvillua sot gjyqi ndaj ish-gjyqtarit të kushtetueses Fatos Lulo, i cili është marrë i pandehur për fshehje dhe mos deklarim pasurie.
Gazetari Ermal Vija tha për ABC News se përmes avokatit mbrojtës, Lulo i kërkoi trupit gjykues të pezullojë procesin me argumentin se i është drejtuar Komisionit të Posacëm të Apelimit që të rishikohet vendimi për shkarkimin e tij nga detyra.

Hetimet për Lulon kanë nisur pas gjetjeve të vettingut që kanë konkluduar se ai ka fshehur një apartament me sipërfaqe, 172 m katror në rrugën e Durrësit.

Këtë kërkesë Lulo ia kërkoi Gjykatës, me argumentin se pjesë e trupit gjykues kur ai është shkarkuar nga detyra, ka qenë edhe gjyqtari Luan Daci i cili është shpallur fajtor sa i takon akuzës së falsifikimit. Sipas tij, për shkak se Daci ka qenë pjesë e trupit gjykues edhe vendimi ndaj tij, duhet të rishikohet.

Sakaq, Prokuroria pretendoi se hetimet për ish gjyqtarin Fatos Lulo kanë nisur fillimisht me indicia dhe më pas nga hetimet ka rezultuar se Lulo nuk e justifikonte dot këtë pasuri me burimin e të ardhurave. Për të gjitha këto, Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që kjo kërkesë e Fatos Lulos, të rrëzohet e të mos merret parasysh.

Nga ana tjetër Gjykata vendosi të shtyjë procesin për më datën 3 maj, ditë kur pritet të shprehet për kërkesën e ish gjyqtarit Lulo./abcnews.al