Jack Smith, kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Kosovë ka konfirmuar se shumë shpejt do të ngrihen akuzat e para. Gjatë vizitës së tij në Kosovë ai është takuar me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, ka vizituar për herë të parë të martën Kosovën, ku është takuar me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin dhe me zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, si dhe me përfaqësues ndërkombëtarë.
Një ditë pas vizitës së Smith në Kosovë, zyrtarë të Prokurorisë së Specializuar, konfirmuan për gazetën “Zëri” se ai është i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij në mënyrë të shpejtë, duke lënë të kuptohet se nuk do të vonojë as ngritja e akuzave të para nga ky institucion i drejtësisë.
Në një reagim për mediat, zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar në Kosovë, Kristofer Benet u shpreh se nuk mund të ketë komente apo data të sakta për akuzat e para, por çdo gjë do të ndodhë shumë shpejt./abcnews.al