Agjencia ruse e censurës Roskomnadzor ka kërkuar që certifikata e regjistrimit të Novaya Gazeta të shpallet e pavlefshme.
Njoftimi u bë pasi gazeta mori dy paralajmërime për shkelje të supozuara nga mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve.
Të enjten, Novaya Gazeta tha se Roskomnadzor shkoi në gjykatë duke kërkuar që të anulohej licenca mediatike e faqes së internetit të gazetës, bën me dije The Guardian.
“Roskomnadzor i kërkoi gjykatës që të shpallë të pavlefshme licencën e medias së shkruar Novaya Gazeta për shkak se redaksia nuk ka dhënë statutin e saj editorial brenda afatit kohor të përcaktuar me ligjin për median”, tha agjencia për gazetën ruse RBC.
Gazeta tha se nuk e dinte pse një kërkesë e tillë ishte bërë tani.
“Pse janë ngritur paditë katër muaj pas dhënies së paralajmërimeve, çfarë ka ndryshuar? A është politikë? Çfarë nuk është politikë tani?”, tha gazeta.
Media tha se do të luftojë për të drejtat e saj në gjykatë.
“Çfarë do të bëjë Novaya Gazeta? Përgatituni për gjykatat, mbroni çështjen tonë, për të cilën jemi të sigurt, përgatitni një numër të ri të revistës NO, rinisni faqen e internetit dhe studion e re Novaya”, thuhet në një deklaratë.
Pezullimi i përkohshëm u krijua për të shpëtuar botimin nga mbyllja mes ligjeve drakoniane që në thelb kanë ndaluar çdo kritikë ndaj ofensivës së Rusisë në Ukrainë.
Kryeredaktori, Dmitry Muratov, tha në atë kohë se paralajmërimet formale ishin shpagim për mbulimin e ofensivës nga Novaya Gazeta dhe përpjekjet e saj për të vlerësuar humbjet dhe shkatërrimin, si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë. /abcnews.al