Gjykata njeh Bashën si kreun e PD: Vetëm ai i propozon kandidatët për 6 marsin

schedule21:00 - 25 Janar, 2022

schedule 21:00 - 25 Janar, 2022

Gjykata e Tiranës njeh Lulzim Bashën si kreun e PD. Selia blu e ka dërguar vërtetimin e gjykatës në KQZ, pas kërkesës së Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Gazetari i Abc Juxhin Mustafaraj ka siguruar vërtetimin ku thuhet se në 1990 është miratuar krijimi i PD dhe kryetari i saj është Basha. Në dokument thuhet se Basha është personi i vetëm i autorizuar për të paraqitur kandidatët për kryetarë bashkie në emër të PD në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në 6 bashki më 6 mars.

Kreu i KQZ i pyetur disa ditë më parë se kë do të regjistrojë për zgjedhjet e 6 marsit nisur nga fakti se si PD ashtu edhe Komisioni i Rithemelimit kanë shprehur interesin për të marrë pjesë në zgjedhje, ai tha se partitë politike që kërkojnë të regjistrohen si subjekt u nevojitet një vërtetim nga gjykata.

“Partia politike e cila kërkon të regjistrohet si objekt zgjedhor duhet të paraqesë një sërë dokumentesh, një vërtetim që mban të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emrin, organin drejtues, organet kompetente përfshirë këtu dhe KQZ, kështu që nuk është një çështje e KQZ por që është e përcaktuar mirë nga ligji dhe në momenti kur fillon procesi i regjistrimit të partive politike dhe do të merrni dijeni. Sikurse për çdo gjë tjetër.”

Pasi ka marrë vërtetimin e gjykatës, PD ia ka nisur KQZ. “Bashkëlidhur me vërtetimin e gjykatës së rrethit Tiranë i cili konfirmon se me urdhrin e ministrit të drejtësisë nr 12, datë 19.12.1990 është miratuar krijimi i partisë demokratike dhe ky dokumentacion është depozituar në zyrën e regjistrimit të partive. Kryetari Lulzim Basha është personi i vetëm i  autorizuar të paraqesë në emër të partisë kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme”, thuhet në dokumentin e PD, bashkëngjitur vërtetimit të gjykatës.

Me këtë vërtetim Basha u ka “mbyllur gojën” edhe ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta të cilët janë shprehur se nuk e njohin si kryetarin e PD.

Në mbledhjen e parë përgatitore për zgjedhjet e pjesshme vendore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ivi Kaso, përfaqësues i PD që është në krahun e ish-kryeministrit, ka kundërshtuar përfaqësinë e PD-së në komision pasi sipas tij Lulzim Basha nuk është më kryetar. Sipas tij vula e Partisë Demokratike ka ndryshuar që më 11 dhjetor. Por, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, tha se ligjërisht komunikimi mund të vazhdojë vetëm me PD-në zyrtare.

Lexo edhe: Zgjedhjet e 6 Marsit, KQZ i bën “dalje” Ivi Kasos: Komunikojmë vetëm me PD-në zyrtare

Në KQZ, Partia Demokratike sot ka dërguar edhe kërkesën për t’u regjistruar për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit, bashkë me emrat e saj për anëtarë të KZAZ-ve.

Vendimi i Komisionit të Rithemelimit për t’u regjistruar me kandidat të tyre në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit solli edhe reagimin e Bashës. Kreu i PD paralajmëroi nga Kurbini edhe njëherë mbështetësit e Berishës se nëse duan shkatërrimin e PD do të jenë përgjithmonë jashtë partisë. Kjo është hera e parë që Partia Demokratike dhe opozita hyn e përçarë në një përballje elektorale.

Lexo edhe: Pas PS, edhe LSI dorëzon në KQZ emrat e anëtarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet lokale

Zgjedhjet do të zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, ndërsa partitë politike kanë kohë deri më 9 Shkurt për të dorëzuar kandidaturat në KQZ. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!