Krimet e rënda lënë në fuqi “arrestin shtëpiak” për Tahirin

schedule13:25 - 15 Maj, 2018

schedule 13:25 - 15 Maj, 2018

Gjykata e Krimeve të Rënda la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur të shtunën për Saimir Tahirin. Ish-ministri i Brendshëm u paraqit të martën tek Krimet e Rënda, ku kunërshtoi me forcë akuzat e ngritura ndaj tij.

Në ditën e tretë të izolimit për shkak të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, Saimir Tahiri doli nga apartamenti për të shkuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Patrulla e policisë që e shoqëroi për në gjykatë, i shpëtoi syrit të medias në nisje tek Kodra e Diellit, pasi doli nga garazhi në pjesën e pasme të pallatit. Por kjo nuk ndodhi në mbërritje, ndonëse ai u fut në gjykatë nga tuneli nëntokësor.

Në orën e paracaktuar 11:00 gjyqtarja Liljana Baku nisi seancën e verifikimit të masës së sigurisë për ish-ministrin e akuzuar për “trafik narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “korrupsion”. Pas gati dy orësh debati gjykata vendosi të lërë të pandryshuar këtë masë sigurie.

Vazhdimësia e masës u kërkua nga prokurorët, të cilët pohuan se do t’i drejtohen Apelit të Krimeve ku do rikërkojnë masën “arrest në burg për Tahirin.

Nga ana e tij avokati Maksim Haxhia kërkoi shuarjen e masës për klientin e tij, duke e konsideruar vendimin e gjykatës për masën e “arresti shtëpiak” të pabazuar. Sipas avokatit, asnjë nga provat e paraqitura nga prokuroria nuk krijon nevojën e kushteve të reja për caktim mase.

Vetë Tahiri nuk kurseu ironinë. “Caktuat për mua ‘arrest shtëpie’ po për mua njëlloj është si ‘arrest shtëpie’ si ‘arrest në burg’. Jam i ftohtë”, iu drejtua ai gjyqtares. Por pak minuta me vonë, ai ngriti tonin e zërit pak pasi kishte hequr xhaketën, duke e shoqëruar me batutën “tonin e kam nga temperatura e argumentit, jo nga temperatura ime personale”.

Ish-ministri kundërshtoi me forcë argumentet e vendimit të gjykatës që e mbylli në shtëpi. Ai tha se nuk kishte rrezikonte të largohej dhe se nuk kishte mundësi të dëmtonte provat.

“Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Nëse do kisha panik për t’u larguar do e kisha bërë që në fillim. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë”, u shpreh Tahiri.

Pasi këmbënguli në mungesën e provave dhe faktin se nuk ka dyshum të arsyeshëm ndaj tij ish-ministri vazhdoi: “Si nuk ka një provë nga prokuroria si e kam lehtësuar trafikun. Kam mbyllur një sy? Kam hequr ndonjë polic? Apo kam ngarkuar vete?”. 

Avokati Haxhia shprehu besim për prishjen e vendimit në apel.

Tahiri u largua nga gjykata drejt banesës së tij po nga tuneli nëntokësor, lëvizje që shmangu kontaktin e të me mikrofonët.

/abcnews.al