Gjykata lë në burg të fortin e “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali

schedule12:20 - 1 Qershor, 2019

schedule 12:20 - 1 Qershor, 2019

Gjergj Cukali do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Cukali, i njohur si i “forti i rruges Myslym Shyrit”, nuk i ka pranuar akuzat para gjyqtarit Besnik Hoxha. Ndërsa organi i akuzen  provë më të fortë ka ADN-në e gjetur, në automjetin që u përdor për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Ashtu siç edhe mund të pritej pas arrestimit të bujshëm, Gjergj Cukali do të qëndrojë sërish pas hekurave. Për të dyshuarin si autor i ekzekutimit të ish-policit Arben Bilali,  Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg. I etiketuar jo rrallë si njëri prej “të fortëve” të rrugës Myslym Shyrit, Gjergj Cukali, duket se kësaj here e ka pisk, pasi prokuroria pretendon se ka prova shkencore që vërtetojnë fajësinë e tij.

Për më shumë se dy orë gjyqtari Besnik Hoxha ka dëgjuar pretendimet e palëve dhe në fund vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Cukalit dhe vendosi që ta lërë atë në burg deri në përfundim të hetimeve nga Prokuroria e Tiranës. Gjatë seancës, mësohet se Cukali nuk ka dhënë asnjë detaj që mund të ndihmojë grupin hetimor për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes. 40 vjeçari nuk e ka pranuar fajësinë, duke thënë se nuk është ai që ka kryer ekzekutimin e ish-policit Arben Bilali 4 muaj më parë.

Ndërsa organi i akuzës provën më të fortë ka ADN-në e marrë nga automjeti tip Mercedes-Benc CLS, që u përdor për tu larguar nga vendi i ngjarjes.  Në këtë automjet janë gjetur gjurmë dhe prova, të cilat pas ekspertizës kriminalistike kanë çuar hetuesit tek autori i dyshuar i vrasjes, Gjergj Cukali. Mbi 40-vjeçarin Cukali, rëndon akuza; “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve luftarake”.

Gjergj Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit. Akuzat që rëndojnë mbi të “Fortin e Myslym Shyrit” janë të shumta, duke filluar nga pengmarrjet, armëmbajtjet pa leje dhe shpërndarje droge. Në vitin 2004, ai ka qenë i akuzuar për pengmarrje. në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti shpërndarje kokainë e heroinë, arrestim pas të cilit 40 vjeçari nuk qëndroi shumë në pranga.

/ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!