Gjykata Kushtetuese merr vendimin për Ilir Metën: Presidenti nuk shkarkohet

schedule23:12 - 16 Shkurt, 2022

schedule 23:12 - 16 Shkurt, 2022

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Kuvendit  të Shqipërisë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta. Thënë ndryshe, Ilir Meta do të vijojë të jetë president i vendit deri në përfundim të mandatit të tij më 24 korrik 2022.

Kujtojmë se pas nismës së ndërmarrë nga socialistët, ku pari edhe një komision hetimor, më datë 09.06.2021, Kuvendi i Shqipërisë vendosi për “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”. Por sipas Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta nuk ka bërë shkelje të rënda dhe për këtë arsye është vendosur shfuqizimi i vendimit të marrë nga Kuvendi.

Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.

  1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
  2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:
    – Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
    – Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
    – Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
    – Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
  3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90, pika 2 dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe nenin 63, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar.

Njoftimi:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 01.02.2022, 03.02.2022 dhe 07.02.2022 vendimin nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me parashikimet e neneve 90 dhe 131, pika 1, shkronja “dh” të Kushtetutës dhe brenda kufijve të shqyrtimit të saj hyjnë si verifikimi i procedurave të ndjekura nga Kuvendi, ashtu edhe përcaktimi i shkeljes së rëndë, si dhe provueshmëria e fakteve përkatëse.

Kuvendi ka legjitimitet për të qenë palë në këtë proces. Legjislatura X e Kuvendit, bazuar në parimin e vazhdimësisë institucionale, ka legjitimitet për të përfaqësuar Legjislaturën IX të tij.
Po ashtu, Legjislatura IX e Kuvendit, ka pasur legjitimitet substancial, në vlerësim të momentit të konstituimit të Kuvendit, zëvendësimit të deputetëve, numrit të përgjithshëm të deputetëve, mungesës së vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë apo pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësisë së kësaj Legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, si dhe tërësisë së ligjeve dhe vendimeve të miratuara.

Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.
Në lidhje me shkaqet për të cilat Kuvendi ka vendosur shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese, pasi përcaktoi elementet objektive të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës” të parashikuar në nenin 90, pika 2, të Kushtetutës, si dhe vlerësoi kërkesën e nenit 90, pika 3, të Kushtetutës për të vërtetuar fajësinë e Presidentit, arriti në përfundimin se:

1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:
– Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
– Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
– Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
– Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90, pika 2 dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe nenin 63, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar,

VENDOSI:

– Shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!