Berisha rrëzon Berishën/ Kushtetuesja: “ok, protokolli Rama-Meloni”

schedule19:00 - 29 Janar, 2024

schedule 19:00 - 29 Janar, 2024

Në Shqipëri ra pengesa e parë më e rëndësishme për zbatimin e marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët afrikanë. Gjykata Kushtetuese e miratoi protokollin e nënshkruar nga dy kryeministrat, duke e vlerësuar atë Kushtetutës, ndryshe nga sa opozita kërkonte.

Pas tre seancash shqyrtuese, shumica prej 9 gjyqtarëve kushtetues, vlerësuan që kjo marrëveshje nuk ka shkelje të Kushtetutës dhe as cenim të të drejtave të njeriut.

Opozita në padinë e saj e cilësonte të domosdoshme firmën e plotfuqishmërisë së Presidentit, para lidhjes së kësaj marrëveshje, por Kushtetuesja thotë se kjo marrëveshje nuk cenon territorin e sovranitetin e shtetit shqiptar, e për pasojë, firma e Presidentit nuk është argument kundërshtues.

“Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik”

Një tjetër argument kundërshtues të padisë së Berisha-Bardhit lidhet me Traktatin i Miqësisë Shqipëri- Itali, së 1995-ës. Ky Traktat është firmosur nga Sali Berisha President në atë kohë, dhe pas gati 29 vitesh, e rrëzon atë, për të mbështetur marrëveshjen e nënshkruar nga Rama. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese thotë, që Traktati i Miqësisë i 95-ës, lejon dy qeveritë të lidhin marrëveshje mes tyre, sikundër është dhe kjo për emigrantët afrikanë.

“Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit”

Edhe pika tjetër e diskutueshme, ajo e të drejtave të njeriut, ka rënë sipas Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk sheh cenim në këtë aspekt. Dy shtetet kanë firmosur të njëjtat konventa ndërkombëtare dhe legjislacionet në fuqi të të dyja shteteve, respektojnë të njëjtat parime. Pra, për këtë marrëveshje vepron si ligji Italian, ashtu edhe ai shqiptar dhe çdo situatë që mund të krijohet, kanë të drejta të dyja shtetet për t’i dhënë zgjidhje.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar”

Me heqjen e pengesës në Kushtetuese, protokolli Tiranë-Romë, do të miratohet në Kuvend. Më pas shteti shqiptar do të përgatis terrenin për ngritjen e dy kampeve, në Shëngjin e Gjadër, për të pritur emigrant afrikanë, që ndalojnë në Itali, për tu sjell në vend, jo më shumë se 3 mijë në muaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!