Një gjykatë braziliane vendosi të mërkurën se ish-presidenti Jair Bolsonaro ka pesë ditë për të dorëzuar bizhuteritë e shtrenjta që mori si dhuratë nga Arabia Saudite dhe urdhëroi një auditim të të gjitha dhuratave zyrtare gjatë presidencës së tij.
Gjykata Federale e Llogarive (TCU), e cila mbikëqyr arkën e qeverisë, urdhëroi gjithashtu ish-kapitenin e ushtrisë së ekstremit të djathtë t’i dorëzonte koleksionit të pallatit presidencial dy armë që mori si dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në 2019.
Sipas ligjit brazilian, zyrtarët publikë mund të mbajnë vetëm dhurata që janë “shumë personale dhe me vlerë minimale monetare”, tha presidenti i gjykatës, Bruno Dantas, në një seancë publike, duke i dhënë Bolsonaros “pesë ditë për t’i kthyer të gjitha sendet e përfshira në këtë çështje sepse pronari i ligjshëm i këtyre sendëve është pallati presidencial”.
Vendimi unanim i gjykatës është kapitulli i fundit i një drame që ka dominuar në Brazil që kur u shfaqën akuzat në fillim të këtij muaji se Bolsonaro u përpoq të importonte ilegalisht bizhuteri me vlerë prej miliona dollarësh që ai dhe gruaja e tij morën si dhurata nga Arabia Saudite.
Skandali shpërtheu kur gazeta Estado de Sao Paulo raportoi se oficerët e doganave përgjuan një ndihmës të ministrit të atëhershëm të minierave dhe energjisë të Bolsonaro duke u përpjekur të hynte në Brazil me një çantë shpine që përmbante bizhuteri diamanti nga firma luksoze zvicerane Chopard pas një udhëtimi zyrtar në Arabinë Saudite në tetor 2021.
Më vonë doli që Bolsonaro kaloi për të dytën herë fshehurazi bizhuteri nga Chopard.
Udhëtarët që hyjnë në Brazil me mallra me vlerë më shumë se 1000 dollarë duhet t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë taksa të mëdha importi.
Sipas raporteve të mediat buzhuteritë që ndihmësi solli për herë të parë në Brazil kishin një vlerë prej 3.2 milionë dollarë ndërsa ato që solli për herë të dytë kishin një vlerë prej 75,000 dollarë.
Bizhuteritë mund të ishin sjellë pa taksa në Brazil nëse do të deklaroheshin si dhuratë zyrtarë për kombin, por ato do t’i përkisnin koleksionit të pallatit presidencial, jo familjes së parë. /abcnews.al