Gjykata i dha “vulën” e partisë Berishës, Alibeaj: Vendim në nivelin e skandalit, do të ankimohet

schedule11:50 - 25 Mars, 2022

schedule 11:50 - 25 Mars, 2022

Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas vendimit të marrë nga Gjykata Civile e Tiranës për njohjen e statutit të miratuar nga “11 Dhjetor”. Në një deklaratë për mediat, Alibeaj e cilësoi vendimin skandaloz, ndërsa solli në vëmendje se gjyqtari i çështjes Agron Zhukri ka deklaruar më herët anësinë e tij në këtë proces gjyqësor.

Kreu i komanduar i demokratëve bëri po ashtu të ditur se për gjyqtarin Zhukri do të bëhet kallëzim penal për shpërdorim detyre.

“Jemi njohur nga mediat për vendimin e Gjykatës së Tiranës. Njohuritë e mia juridike dhe besoj njohuritë e kujtdo që njeh nga media se si zhvillohen gjyqet, për mua është një vendim në nivelet e skandalit. Siç e dini ju edhe vetë gjyqtari ka deklaruar njohjet dhe anësinë e vet në lidhje me këtë çështje. PD ka bërë ankim për regjistrimin e Kuvendit të datës 18 dhjetor, është i fundit që PD ka realizuar. Çështja është në Apel bashkë me të gjithë dosjen, bashkë me të gjitha provat. Gjyqtari sot nuk ka pasur dosjen dhe ka marrë një vendim pa pasur prova, pa pasur dosje dhe mbi të gjitha pa pasur palë. Do të bëjmë kallëzim penal për gjyqtarin për shpërdorim detyre”, tha Alibeaj.

Po ashtu, kryetari i komanduar i PD, bëri të ditur se vendimi, pasi të zbardhet, do të ankimohet.

“Për një vendim që s’e kemi parë ende, kemi të drejtën tonë që të bëjmë ankim…Kemi të drejtën për të qenë palë, na e ka mohuar gjykata. Duhet të prisni sa të bëhet ankimi dhe gjykata do të japë vendimin final.”

I pyetur nëse do ta lërë zyrën, Enkelejd Alibeaj u shpreh se në Selinë Blu do të pritet vendimi final i gjykatës pasi të bëhet ankimimi.

Kujtojmë se Gjykata Civile e Tiranës pranoi në seancën e sotme gjyqësore kërkesën e Grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike për ndryshimet e statutit të partisë. Në Kuvendin e 11 dhjetorit u shkarkuan drejtuesit e PD-së, përfshirë këtu kryetarin aktual të komanduar dhe ish-kryetarin Lulzim Basha. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!